Grupe të maskuara sulmuan me bomba molotov, gurë dhe piroteknikë Komisariatin Nr. 3 në Tiranë, duke plagosur 10 policë që ruanin godinën. Drejtori i Policisë së Shtetit, Skender Hita, paralajmëron se sulmi ndaj një komisariati nuk është protestë.

Bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta u përplasën në mbrëmje mbi Komisariatin e Policisë Nr. 3 në Tiranë. Pas sulmit, të kryer nga grupe personash të maskuar, dhjetë punonjës policie mbetën të plagosur, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtuesit madhor Skender Hita.
Në një deklaratë drejtuar qytetarëve, Hita e cilësoi ngjarjen si "një sulm i rëndë dhe i paprecedentë". Sipas tij, të plagosurit ishin efektivë të caktuar për ruajtjen dhe sigurinë e komisariatit. "Si pasojë e këtij sulmi, mbetën të plagosur 10 punonjës të Policisë, të cilët ndodheshin në krye të detyrës, në shërbim të ruajtjes dhe sigurisë së Komisariatit", tha ai, duke shtuar një detaj që e veçon sulmin: "Dua të theksoj se këta punonjës nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave."
Rreziku, sipas drejtorit të Policisë, nuk kishte të bënte vetëm me uniformat. Brenda ambienteve të komisariatit ndodheshin edhe persona të shoqëruar, jeta dhe shëndeti i të cilëve u vunë gjithashtu në rrezik serioz nga sulmi.
Hita hodhi poshtë çdo përpjekje për ta paraqitur ngjarjen si pjesë të protestës. "Dua të jem shumë i qartë për të gjithë se sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë", deklaroi ai. "Goditja e punonjësve të Policisë me bomba molotov dhe mjete të tjera të rrezikshme është dhunë e rëndë, e cila dënohet nga ligji dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë."
Dhuna nuk u ndal me sulmin e mbrëmjes. "Edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar sulme të tjera ndaj punonjësve të Policisë, me përdorimin e gurëve, lëndëve piroteknike, sferave metalike dhe bombave molotov, duke shkaktuar plagosjen e disa punonjësve të tjerë", tha Hita, pa dhënë numrin e tyre. Sipas tij, prej gjashtë ditësh policët po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërsa vazhdojnë të ruajnë rendin dhe sigurinë publike.
Policia ka nisur punën për të gjetur autorët. "Policia e Shtetit po punon për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këto sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve kompetente të drejtësisë", u shpreh drejtori, duke paralajmëruar: "Çdo person për të cilin provohet përgjegjësia penale do të përballet me pasojat që parashikon ligji." Deri tani nuk është njoftuar për arrestime apo persona të identifikuar.
Hita bëri dallimin mes protestës paqësore dhe dhunës. Ai theksoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar dhe se policia ka detyrimin ta mbrojë, por njëkohësisht edhe të ndërhyjë, në përputhje me ligjin, ndaj çdo veprimi që cenon jetën dhe rendin publik. "Askush nuk mund ta përdorë të drejtën kushtetuese të protestës si mburojë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë apo për të shkatërruar pronën publike dhe private", tha ai.
Drejtori bëri të ditur se ka udhëzuar të gjitha strukturat policore të vijojnë detyrën me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar rigorozisht ligjin, procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.
"U bëj thirrje të gjithë personave të përfshirë në veprime të dhunshme që t’i ndërpresin menjëherë ato", tha Hita, i cili u kërkoi protestuesve paqësorë të distancohen nga personat e dhunshëm. Ai u shprehu mbështetje punonjësve të policisë dhe u uroi shërim të shpejtë kolegëve të plagosur. "Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre", nënvizoi ai, para se të përfundonte me një mesazh të prerë: "Nuk do të tërhiqemi përballë dhunës dhe nuk do të lejojmë që sulmet ndaj institucioneve të cenojnë përmbushjen e misionit tonë."
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

