Një sulm rus me dron goditi një qendër tregtare në Kryvyi Rih, ndërsa një dron i dytë ra në të njëjtin vend gjysmë ore më vonë, kur ekipet e emergjencës kishin mbërritur në terren.

Numri i të vdekurve nga sulmi me dron rus mbi një qendër tregtare në Kryvyi Rih, në rajonin e Dnipropetrovskut, është rritur në 14, ndërsa 121 persona janë raportuar të plagosur. Shifra u bë e ditur nga shefi i administratës rajonale shtetërore, Aleksandr Ganzha, i cili tha se një burrë i plagosur rëndë ndërroi jetë në spital.
Sipas Ganzhas, ndër të plagosurit ka edhe 22 fëmijë, ndërsa 29 persona — përfshirë pesë fëmijë — ndodhen në gjendje të rëndë. Bilanci më i hershëm i sulmit mbi kompleksin tregtar fliste për gjashtë të vdekur dhe 90 të plagosur.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e cilësoi sulmin si "plotësisht cinik dhe të ndyrë". Ai theksoi se një dron i dytë rus goditi të njëjtin vend rreth gjysmë ore pas goditjes së parë, me qëllim që të sulmonte ekipet e shërbimeve emergjente që kishin mbërritur në terren. "Sulme të tilla nuk janë asgjë tjetër veçse akte terroriste", shkroi Zelensky në Telegram, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta thërrasë Rusinë në përgjegjësi. Kryvyi Rih është vendlindja e presidentit ukrainas.
Gjatë ditës, forcat ruse sulmuan gati 60 herë katër rrethe të rajonit të Dnipropetrovskut, duke përdorur dronë, artileri dhe bomba ajrore. Në rrethin e Kryvyi Rih u goditën komunitetet Zelenodolsk dhe Grushivsk.
Në rrethin e Nikopolit u prekën vendbanimet Nikopol, Chervonohryhorivka, Marhanets, Pokrovske dhe Myrivske, ku u dëmtuan një ndërtesë banimi, shtëpi private dhe automjete. Tre persona u plagosën: një grua 56-vjeçare u shtrua në spital në gjendje të moderuar, ndërsa dy burra 32 dhe 52 vjeç do të trajtohen në mënyrë ambulatore.
Në rrethin e Sinelnykovos u sulmuan vendbanimet Rozdorske, Vasylkivske, Mykolaivske dhe Petropavlivske, me dëme në shtëpi private. Një burrë 48-vjeçar u dërgua në spital në gjendje mesatarisht të rëndë, kurse një grua 51-vjeçare do të trajtohet në mënyrë ambulatore. Në vendbanimin Krynychanske të rrethit të Kamianskes shpërtheu një zjarr, ndërsa u dëmtuan ndërtesa banimi, shtëpi private dhe automjete.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

