Një grua 44-vjeçare u vra kur një dron goditi një ndërtesë banimi trikatëshe në Sofjino, ndërsa dy aeroporte të Moskës ndaluan fluturimet. Një ditë më parë, shtatë persona, mes tyre dy fëmijë, u vranë në sulme ruse në rajonet e Kievit dhe Sumit.

Nata mbi rajonin e Moskës u ndriçua nga shpërthimet. Të paktën dy persona u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën në një sulm "masiv" ukrainas me dronë gjatë natës, ka njoftuar guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobjov, i cili bëri të ditur se janë rrëzuar 249 dronë.
Sipas Vorobjovit, zjarre shpërthyen në disa shtëpi banimi, ndërsa flakët përfshinë edhe një depo lokale. Në një postim në Telegram të dielën, ai tha se një grua 44-vjeçare u vra në Sofjino pasi një dron goditi një ndërtesë banimi trikatëshe. Pesë persona të tjerë, mes tyre dy fëmijë, mbetën të plagosur. Në rrethin e Orehovo-Zujevos, sipas guvernatorit, një burrë i moshuar humbi jetën pasi u godit një shtëpi private.
Në kryeqytetin rus, kryetari i Moskës, Sergei Sobjanin, tha se një dron goditi një ndërtesë pranë njërit prej bulevardeve të kryeqytetit dhe se u dëmtua një objekt i një rafinerie nafte. Më herët ai kishte njoftuar se ishin rrëzuar 152 dronë që po lëviznin drejt Moskës.
Trafiku ajror u godit gjithashtu. Sheremetjevo, aeroporti më i madh i Moskës, paralajmëroi udhëtarët për "kufizime të përkohshme", ndërsa në aeroportin Vnukovo u ndalën të gjitha fluturimet e mbërritjeve dhe të nisjeve. Në rrjetet sociale qarkulluan pamje që pretendohet se tregojnë shpërthime në qiellin e natës mbi rajonin e Moskës dhe një depo në flakë, pamje të cilat BBC-ja tha se nuk i ka verifikuar.
Një ditë më parë, të shtunën, shtatë persona, mes tyre dy fëmijë, u vranë në sulme ruse në rajonet e Kievit dhe Sumit. Në qytetin e Fastivit, në rajonin e Kievit, u vranë një nënë dhe dy fëmijët e saj të vegjël, një djalë dhe një vajzë, ka njoftuar kreu i rajonit të Kievit, Tymur Tkaçenko, sipas të cilit u dëmtuan edhe disa shtëpi private. Në rajonin verilindor të Sumit, katër persona u vranë kur një dron rus goditi veturën me të cilën po udhëtonin, tha zyrtari i lartë lokal Oleh Hryhorov.
Rusia dhe Ukraina i kanë intensifikuar kohët e fundit goditjet, duke synuar objekte të prodhimit të energjisë dhe të transportit, si dhe qendra të mëdha logjistike. Presidenti rus Vladimir Putin nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

