Sondazhet në dalje i dhanë epërsi të qartë së majtës, por analiza e rezultateve të para e ktheu garën suedeze në një baraspeshë prej një ulëseje të vetme. Ulf Kristersson mbetet me shanse reale për të ruajtur postin e kryeministrit me mbështetjen e ekstremit të djathtë.

Vetëm pak orë pasi sondazhet në dalje e shpallën bllokun e majtë fitues të qartë, zgjedhjet e përgjithshme në Suedi u kthyen në një garë që askush nuk guxon ta shpallë të mbyllur. Analiza e rezultateve të para të numëruara tregoi një valë të vonshme mbështetjeje për të djathtën dhe e ktheu natën zgjedhore në pikëpyetje.
Transmetuesi publik SVT ndërtoi një parashikim mbi bazën e pak qarkeve të numëruara deri atëherë. Sipas asaj analize, aleanca e djathtë e kryeministrit Ulf Kristersson, lider i partisë konservatore Moderate, projektohet me 174 nga 349 ulëse të parlamentit, vetëm një më pak se blloku i majtë me 175. Në njoftimin e parashikimit të SVT-së në orën 21:58, dallimi mes dy blloqeve ishte pikërisht një ulëse e vetme, me të majtën në krye, ndërsa parashikimi mund të lëvizë disa herë gjatë mbrëmjes.
Transmetuesi TV4 nxori një parashikim të vetin, po aq të ngushtë: 176 ulëse për bllokun e majtë të Magdalena Anderssonit dhe 173 për aleancën e djathtë të Kristerssonit.
Për Anderssonin, liderin e socialdemokratëve dhe ish-kryeministren, një rezultat kaq i ngushtë do të ishte zhgënjim i hidhur. Katër vjet pas largimit nga pushteti, ajo konsiderohej pothuajse e sigurt për t'u rikthyer në krye të qeverisë, por epërsia dyshifrore e bllokut të saj në sondazhe u avullua në ditët e fundit të fushatës.
"Zgjedhjet suedeze janë gjithmonë të ngushta", tha Andersson për POLITICO-n më herët të dielën, ndërsa përshkonte periferitë e Stokholmit me autobusin e fushatës. "Kur kam qenë nëpër Suedi, shumë njerëz me të cilët kam folur thanë se shohin gjëra që qeveria i ka bërë dhe që u pëlqejnë, por ka edhe shumë gjëra që nuk u pëlqejnë."
Në selinë e Moderatëve atmosfera ishte tjetër. Martin Borgs, strategu kryesor i partisë dhe drejtuesi i fushatës zgjedhore, u shfaq optimist sapo dolën sondazhet: "Katër vjet më parë, sondazhet në dalje ishin të gjitha të gabuara, por mendoj se mund të thuash disa gjëra. Së pari duket se miqtë tanë në Partinë Liberale po qëndrojnë në parlament, që është vërtet mirë. Shumë Moderatë votuan për ta, ndaj po i duartrokasim vërtet. Dhe gjithashtu duket sikur socialdemokratët dështuan masivisht në këtë fushatë dhe nuk ka shumicë të majtë në parlament, të paktën në këtë pikë. Dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi në atë rast për të maksimizuar besimin që na dhanë votuesit."
Pyetjes nëse Partia e Qendrës nuk po llogaritet si e majtë, Borgs iu përgjigj:: "Jo, dhe nuk mendoj se e bëjnë as vetë, e kanë përjashtuar të jenë pjesë e një qeverie me Partinë e Majtë. Mendoj se po të zgjidhnin sipas politikave, do të përfitonin shumë duke punuar me ne." Partia e Qendrës ka përjashtuar gjithashtu bashkëpunimin me Demokratët e Suedisë.
Nga festa zgjedhore e Moderatëve, ku ishin të pranishëm shumë ministra, ministri i Drejtësisë, Gunnar Strömmer, dhe ministrja e Financave, Elisabeth Svantesson, flisnin me një grup të madh gazetarësh. Nga ana tjetër e spektrit, ish-ministrja e Arsimit, Anna Ekström, tha se, nën një qeveri të udhëhequr nga socialdemokratët, Suedia mund të presë kthimin prapa të disa prej politikave të diskutueshme të qeverisë për imigracionin.
Peshën historike të kësaj nate e jep premtimi i Kristerssonit: nëse ruan pushtetin, ai u ka premtuar poste ministrore politikanëve të Demokratëve të Suedisë, partisë populiste-nacionaliste antiimigrante, diçka e paparë në një vend që për dekada e mbajti ekstremin e djathtë në izolim. Kristersson këmbëngul se kjo parti mund të besohet, pasi ka mbajtur në këmbë koalicionin e tij nga parlamenti prej katër vjetësh, duke ndihmuar miratimin e politikave të ashpra për imigracionin dhe krimin e dhunshëm. Koalicioni i tij pakicë me tri parti arriti në vitin 2022 një marrëveshje me Demokratët e Suedisë, të cilëve u dha ndikim mbi politikat qeveritare, veçanërisht për imigracionin dhe krimin, në këmbim të mbështetjes në parlament.
Të premten, Kristersson i tha POLITICO-s se ministrat e mundshëm nga Demokratët e Suedisë do të kishin hapësirë të kufizuar për të dalë nga binarët, sepse ai do të mbetej në krye: "Meqenëse unë do të jem personi që do ta formojë atë qeveri, dhe personi që do t'i emërojë secilin prej tyre, mund t'ju garantoj se vetëm njerëz shumë të aftë dhe me përvojë dhe me gjykim të mirë do të jenë pjesë e qeverisë sime."
Andersson pranon se as një fitore e bllokut të saj nuk do t'i fshinte Demokratët e Suedisë nga skena, aq më pak me një rezultat të ngushtë. "Urrejtja që ata kanë përhapur gjatë këtyre zgjedhjeve, dhe nëse do të bëheshin ministra dhe do t'i përdornin platformat e tyre si ministra për të përhapur urrejtje? Epo, do ta shohim nëse populli suedez është shumë i tunduar nga kjo", tha ajo.
Gara nisi të dielën në mëngjes, me hapjen e qendrave të votimit në orën 08:00. Andersson, 59-vjeçare, e para grua kryeministre e Suedisë në vitet 2021-2022, votoi mes të parëve në një shkollë në komunën e saj të Nackës, në jug të Stokholmit. "Tani është radha e popullit suedez të vendosë se cilin drejtim duhet të marrë vendi ynë. A duhet të kemi një qeveri tërësisht të dominuar nga Demokratët e Suedisë? Diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë në Suedi? Apo duhet të kemi një qeveri të udhëhequr nga unë, e cila do ta drejtojë Suedinë në një frymë të re bashkëpunimi?", u tha ajo gazetarëve pas votimit.
Kristersson e ndërtoi fushatën mbi rezultatet e qeverisë së tij ndaj krimit të organizuar dhe imigracionit: të shtënat dhe shpërthimet vdekjeprurëse të rrjeteve kriminale janë ulur ndjeshëm vitet e fundit dhe kërkesat për azil janë në nivel rekord të ulët. "Duam t'i përdorim parakushtet tona të reja dhe shumë më të mira për të përmirësuar jetën e njerëzve të zakonshëm... për ta bërë Suedinë të madhe përsëri", i tha ai agjencisë AFP para votimit, duke huazuar sloganin e njohur të Donald Trumpit. Socialdemokratët, që qeverisën vendin për pjesën më të madhe të shekullit XX dhe mbeten partia më e madhe suedeze, kanë premtuar forcimin e shtetit social dhe ndihmë për familjet në vështirësi përballë rritjes së kostove.
Ekstremi i djathtë hyri në këtë natë me bindjen se fitorja ishte e siguruar. Në tubimin e fundit të fushatës të shtunën, në parkun Kungsträdgården në Stokholm, i rrethuar nga postera blu e të verdhë me mesazhin "Make Sweden Sweden Again" ("Ta bëjmë Suedinë suedeze përsëri"), lideri i Demokratëve të Suedisë, Jimmie Åkesson, 47-vjeçar, deklaroi: "Kemi fituar tashmë!" dhe se "Suedia po bëhet më e sigurt, më e mirë dhe më suedeze". Gjatë dy dekadave të fundit, Åkesson e ka çuar drejt rrjedhës kryesore politike një parti me rrënjë neonaziste.
Votat po numërohen publikisht dhe numërimi mund të ndiqet drejtpërdrejt në faqen e Autoritetit Zgjedhor. Nëse parashikimi i SVT-së del i saktë, Kristersson pothuajse me siguri do të qëndrojë dhe do të luftojë për postin e kryeministrit. Ndërkohë, rezultati përfundimtar mbetet i hapur, dhe gjithsesi dikush do të duhet të formojë qeveri, gjë që me këto shifra nuk premton të jetë e lehtë.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

