Kush përfiton, si aplikohet dhe si llogaritet ndihma për faturën e energjisë elektrike: të gjitha tani janë të përcaktuara në një vendim të ri ministror. Thirrja për aplikim pritet të hapet së shpejti, por data ende nuk dihet.

Familjet që e kanë më të vështirë të përballojnë faturën e energjisë elektrike tani kanë rregullat me të cilat do të maten. Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka nënshkruar vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike për periudhën 2026-2027.
Vendimi është dokumenti që i jep formë konkrete programit. Në një postim në Facebook, ministria shpjegon se ai mbulon gjithë zinxhirin e subvencionit, nga kush ka të drejtë deri te paratë që arrijnë te përfituesi: “Përmes këtij vendimi përcaktohen kriteret për përfitim, mënyra e aplikimit, llogaritja dhe pagesa e subvencionit, si dhe procedurat për shqyrtimin e aplikacioneve dhe verifikimin e të dhënave të aplikuesve.”
Pas programit qëndron një fond prej 15 milionë eurosh i ndarë nga qeveria. “Programi, për të cilin qeveria ka ndarë 15 milionë euro, synon të mbështesë familjet që kanë më së shumti nevojë për ndihmë në përballimin e faturave të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Hapi i radhës është thirrja për aplikim, e cila sipas ministrisë do të hapet së shpejti. Data dhe mënyra e aplikimit ende nuk janë bërë publike. “Për datën e hapjes dhe mënyrën e aplikimit do t’ju njoftojmë me kohë”, deklaron ministria.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

