Dhjetëra miliona amerikanë, nga Mejni deri në Virxhinia, janë në rrugën e një stuhie të fuqishme që ka përmbytur rrugë e shtëpi në Nju Xhersi dhe ka lënë pa energji elektrike gati 150 mijë familje. Hëna e plotë e së shtunës pritet ta rëndojë situatën në bregdet.

Uji i detit ka hyrë tashmë në rrugët dhe shtëpitë e Surf City dhe Manasquan, dy komuniteteve bregdetare në Nju Xhersi, ndërsa stuhia e fuqishme verilindore po arrin kulmin mbi verilindjen e Shteteve të Bashkuara. Nju Jorku dhe Nju Xhersi kanë shpallur gjendje emergjence.
Dhjetëra miliona njerëz ndodhen në rrugën e stuhisë këtë fundjavë. Shiu dhe erërat e forta parashikohen në një brez të gjerë, nga Virxhinia deri në Mejn, me kulmin të shtunën.
Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së (NWS) paralajmëroi se stuhia do të "sjellë përmbytje të rrezikshme bregdetare dhe kushte të rrezikshme në plazhe, erëra të forta dhe reshje të dendura shiu" në zona që përfshijnë qytetin e Nju Jorkut dhe Bostonin. Në alarmin e tij, shërbimi u bëri thirrje banorëve: "Përgatituni menjëherë për përmbytje të konsiderueshme në zonat e ulëta pranë bregut, përfshirë rrugë nën ujë dhe ndikime në shtëpi dhe biznese."
Rreziku në bregdet pritet të rritet edhe nga hëna e plotë e së shtunës, e cila, sipas parashikimeve, do t'i përkeqësojë përmbytjet bregdetare.
Nju Xhersi është shteti ku pasojat po ndihen më herët, me disa zona tashmë nën ujë. Guvernatorja e Nju Xhersit, Mikie Sherrill, u kërkoi qytetarëve kujdes: "U bëj thirrje të gjithë banorëve të Nju Xhersit ta marrin seriozisht këtë stuhi, të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet vendore."
Në Nju Jork, autoritetet paralajmërojnë për shpërthime ere deri në 86 kilometra në orë (55 milje në orë) gjatë gjithë fundjavës, me rrëzim pemësh dhe ndërprerje të energjisë. Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, në një mesazh video drejtuar banorëve tha: "Mos udhëtoni nëse nuk është e nevojshme." Ai shtoi: "Mos ngisni makinën dhe mos ecni nëpër ujërat e përmbytjes."
Ndërprerjet e energjisë elektrike janë tashmë të përhapura. Gati 150 mijë familje kanë mbetur pa drita, sipas platformës së monitorimit poweroutageus.
Kaos edhe në qiell. Më shumë se 1.100 fluturime janë vonuar dhe 400 të tjera janë anuluar, sipas shërbimit të gjurmimit të fluturimeve FlightAware. Administrata Federale e Aviacionit u rekomandoi udhëtarëve të verifikojnë statusin e fluturimeve pranë kompanive ajrore.
Stuhia ka detyruar edhe anulimin e ngjarjeve të mëdha publike. Koncerti i Ed Sheeranit në stadiumin Gillette, në zonën e Bostonit, u anulua për arsye sigurie, sipas administratës së stadiumit. As festivali Global Citizen në Central Park të Nju Jorkut, ku do të performonin Lauryn Hill, Wyclef Jean dhe John Legend, nuk do të mbahet. Në Boston, ndeshja e Red Sox kundër Chicago Cubs, e planifikuar për të dielën pasdite, u shty për të premten e ardhshme, ndërsa ndeshja e futbollit mes Red Bull New York dhe St Louis City SC u anulua.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

