Modeli i ri për provimin e Jurisprudencës u quajt hap përpara, por jo mjaftueshëm. Përfaqësuesit e lëvizjes studentore paralajmërojnë se do të dalin sërish në protestë nëse ligji nuk garanton provimet profesionale tërësisht në gjuhën shqipe.

Një arritje, por jo fitore. Kështu e përshkruan lëvizja studentore modelin e prezantuar sot në Ministrinë e Drejtësisë për provimin e Jurisprudencës. Kërkesa e studentëve mbetet e pandryshuar: provimi duhet të mbahet 100% në gjuhën shqipe.
Takimi mes përfaqësuesve të studentëve dhe ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, u përqendrua te zgjidhja ligjore për këtë provim. Pas tij, studentët deklaruan se nuk do të pranojnë asnjë zgjidhje që nuk e parasheh mbajtjen e plotë të provimit në shqip.
Mevlan Ademi, një nga përfaqësuesit e studentëve, pranoi se modeli i ofruar sot është diçka që më parë nuk ka ekzistuar. Megjithatë, sipas tij, ai nuk është i plotë dhe studentët nuk janë të kënaqur. Ademi theksoi se beteja nuk mbyllet me Jurisprudencën.
"Ne nuk do të ndalemi vetëm te provimi i Jurisprudencës. E pyetëm ministrin për provimet e tjera dhe fatkeqësisht ende nuk ka asnjë hap në këtë drejtim. Na kanë shkuar tre vite për të arritur diçka jo të plotë. Ne merremi me probleme të cilat duhet të ishin zgjidhur nga ligjet dhe kushtetuta jonë. Shpresoj që të vazhdojmë bashkëpunimin edhe për tema të tjera", tha Ademi.
Por bashkëpunimi vjen me kusht. Nëse miratohet një ligj që nuk parasheh dhënien e provimeve profesionale 100 përqind në gjuhën shqipe, studentët, sipas Ademit, do t'u rikthehen protestave.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

