Platforma "Liria ka emër" njofton se protesta kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale vazhdon edhe sot në orën 21:00 te sheshi "Skënderbeu", ndërsa studentët e Universitetit të Prishtinës dalin me një memorandum prej gjashtë pikash.

Sheshi "Skënderbeu" në Prishtinë mbetet edhe sot epiqendra e reagimit ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale. Platforma "Liria ka emër" ka bërë të ditur se protesta kundër dënimit të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vazhdon më 20 shtator 2026, me fillim në orën 21:00.
Është vazhdimësi e një valeje protestash të përditshme që nisën menjëherë pas 16 shtatorit 2026, kur trupi gjykues në Hagë shpalli vendimin e shkallës së parë.
Krahas tubimit të mbrëmjes, në rrugët e kryeqytetit del edhe bota akademike. Studentët e Universitetit të Prishtinës, së bashku me kolegë nga universitete të tjera publike e private, kanë ftuar qytetarët t'u bashkohen marshit që niset në orën 11:30 nga Qendra e Studentëve drejt sheshit "Skënderbeu", ku në orën 12:00 fillojnë fjalimet.
"Marshi bën thirrje për unitet, dinjitet dhe solidaritet në një moment të rëndësishëm për vendin tonë. Studentët e UP-së, së bashku me studentë nga universitetet e tjera publike e private, kanë përgatitur edhe një memorandum me gjashtë pika, i cili do të lexohet nga kolegët dhe do të publikohet pas përfundimit të marshit", tha Flon Kastrati nga Parlamenti Studentor.
Donart Humolli, po ashtu nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, e paraqiti daljen në shesh si detyrim moral. "Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ndjen obligim moral dhe përgjegjësi qytetare që të ngrejë zërin sot ndaj vendimit që e konsiderojmë thellësisht të padrejtë ndaj çlirimtarëve tanë. Nuk kemi se si të jemi të qetë derisa ata që na e sollën lirinë, falë të cilëve ne sot studiojmë dhe arsimohemi të lirë, gjenden në Hagë", deklaroi ai.
Humolli kërkoi edhe angazhim konkret nga institucionet. "Në këtë linjë, kërkojmë mbështetje financiare të pakushtëzuar, si dhe mbështetje të plotë politike e morale për të akuzuarit deri në përfundimin e këtij procesi dhe derisa t'i kemi çlirimtarët tanë në shtëpitë e tyre, pranë familjeve të tyre. Si Parlament Studentor dhe si studentë, jemi të vetëdijshëm se po kalojmë nëpër një situatë të vështirë dhe të rëndë. Për këtë arsye, e shohim më se të nevojshme të bëjmë një thirrje të hapur për unitet kombëtar", tha ai.
Organizatorët studentorë presin pjesëmarrje edhe nga qytete të tjera të Kosovës, nga universitetet publike dhe private, si dhe nga Maqedonia e Veriut. Ata u kërkuan subjekteve politike të tregohen më të bashkuara në këto momente.
Në qendër të revoltës qëndrojnë dënimet e shqiptuara më 16 shtator. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë, e cila e shpalli përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë.
Kadri Veseli mori 18 vjet burgim, i shpallur fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme, ndërsa Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim, pasi trupi gjykues e shpalli fajtor për trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ankese në Apel, që do të thotë se procesi nuk ka përfunduar.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

