Pas pesë netësh protestash në sheshin "Skënderbeu", zemërimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara kalon sot te studentët: Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës marshon në orën 11:30 drejt qendrës së kryeqytetit.

Kolona e radhës në Prishtinë niset nga Qendra e Studentëve. Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" ka paralajmëruar për sot një marsh proteste kundër aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Nisja pritet në orën 11:30, me itinerar nga Qendra e Studentëve drejt sheshit "Skënderbeu", në qendër të kryeqytetit.
Marshi vjen pasi kundërshtimet ndaj vendimit të gjykatës me seli në Hagë kanë hyrë në natën e pestë. Mbrëmë, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin "Skënderbeu", ku mes pjesëmarrësve ishin edhe djemtë dhe familjarë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Tubimi i mbrëmshëm nisi me shpalosjen e një flamuri të madh kombëtar, në të cilin ishte vendosur edhe emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet "Jo në emrin tim", "S'ka paqe pa drejtësi" dhe "Liria ka emër", ndërsa gjatë tubimit u dëgjuan thirrje në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Vala e protestave nisi më 16 shtator, menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit, dhe që atëherë sheshi qendror i Prishtinës është kthyer në pikën e përditshme të grumbullimit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

