Votat e 22 deputetëve të PDK-së mund të vendosin nëse Kosova zgjedh presidentin apo shkon në zgjedhje të reja. Partia e Bedri Hamzës i ka lidhur ato me miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Një projektligj për Dhomat e Specializuara është kthyer në kushtin kryesor për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Shqyrtimi i ndryshimeve në këtë ligj vjen vetëm një ditë para se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit.
PDK-ja e ka bërë të qartë qëndrimin: gatishmëria e saj për të ndihmuar në zgjedhjen e presidentit varet nga miratimi përfundimtar i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura si Specialja. Kryetari i partisë, Bedri Hamza, ka deklaruar se PDK, me 22 deputetët e saj, është e gatshme të diskutojë dhe t'i japë votat për presidentin, por vetëm pasi Kuvendi ta ketë përmbyllur miratimin e ligjit.
Ora kushtetuese po ecën. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit nisi më 8 gusht dhe mbyllet më 6 tetor. Nëse brenda kësaj periudhe presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
Pikërisht për të shmangur këtë skenar, kryeministri Albin Kurti zhvilloi gjatë fundjavës takime të ndara me Hamzën dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kërkim të një rrugëdaljeje para skadimit të afatit.
Aritmetika parlamentare shpjegon pse votat e PDK-së kanë peshë kaq të madhe. Në dy rundet e para, kandidati për president ka nevojë për 80 vota. Nëse askush nuk e arrin këtë shumicë, në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota, por vetë procesi mund të zhvillohet vetëm nëse në sallë janë të pranishëm së paku 80 deputetë.
Qeveria u zgjodh me 62 vota, falë edhe mbështetjes së tetë deputetëve të komuniteteve joserbe dhe të deputetit serb Nenad Rashiq. Ky numër nuk mjafton për të siguruar kuorumin e kërkuar për zgjedhjen e presidentit. Me 22 deputetët e PDK-së, ky prag do të arrihej, gjë që e vendos partinë e Hamzës në pozitën e faktorit vendimtar në ditët e fundit të afatit.
Përmbajtja konkrete e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk është bërë ende e ditur publikisht, ndërsa nga takimet e Kurtit me liderët e opozitës nuk është njoftuar ndonjë marrëveshje.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

