Hashim Thaçi dhe katër të bashkakuzuar do të dalin fizikisht para gjykatësit në Hagë për të dëgjuar vendimin, në një rast ku prokuroria kërkon gjashtë vjet burg për ish-presidentin. Në qendër të akuzës janë 28 incizime nga vizitat në Qendrën e Paraburgimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta mësojë më 17 nëntor 2026 nëse Gjykata Speciale e shpall fajtor për pengim të drejtësisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar datën e shpalljes së aktgjykimit, ndërsa seanca publike do të nisë në orën 10:00, sipas njoftimit të gjykatës.
Në sallë nuk do të jetë vetëm Thaçi. Gjykatësi i vetëm që shqyrton rastin ka urdhëruar që në selinë e Dhomave të Specializuara në Hagë të jenë fizikisht të pranishëm edhe katër të bashkakuzuarit: Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi. Gjykata kujton në njoftim se, sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara, aktgjykimet shpallen në seancë publike dhe shoqërohen me arsyetim me shkrim.
Prokuroria e ka bërë të qartë se çfarë pret nga ky vendim. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin, i cili akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun kërkesa është nga tre vjet burgim për secilin, ndërsa për Kuçin prokuroria ka kërkuar nëntë muaj burgim.
Akuza lidhet drejtpërdrejt me procesin më të rëndë që Thaçi ka përpara: rastin kryesor të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, ku ai gjykohet bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Sipas prokurorisë, ish-presidenti dyshohet se ka ndërmarrë veprime për të ndikuar te dëshmitarët e atij procesi.
Si provë, prokuroria mbështetet te 28 incizime, të cilat sipas saj janë realizuar gjatë nëntë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, brenda një periudhe katërmujore. Këto pretendime janë ende akuza: asnjë nga pesë të akuzuarit nuk është shpallur fajtor, dhe pikërisht më 17 nëntor gjykatësi do të vendosë nëse provat e paraqitura mjaftojnë për një dënim.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

