Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Ramadan Morina u deklarua edhe një herë i pafajshëm për akuzën se mori pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Malishevës, në mars të vitit 1999.

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Ramadan Morina e mohoi përsëri fajësinë për krime lufte në fshatin Burim të Malishevës, duke mbrojtur të njëjtin qëndrim si në fillim të procedurës.
"Jo, s'e pranoj fajësinë se s'kam qenë fare në Kosovë atëkohë", tha Morina.
Ai ishte deklaruar i pafajshëm edhe në seancën fillestare, të mbajtur më 30 dhjetor 2025, pak ditë pasi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzën më 17 dhjetor 2025.
Sipas asaj aktakuze, gjatë periudhës 1998-1999, në kohën e luftës në Kosovë, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, Morina ka vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe dhe ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, keqtrajtime fizike dhe psikike, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile shqiptare që nuk ishte e përfshirë në luftë.
Pika e parë e aktakuzës ka të bëjë me vrasjen. Prokuroria pretendon se më 31 mars 1999, në vendin e ashtuquajtur "Vrella e Mihillit" në fshatin Burim, gjatë një aksioni të forcave policore dhe ushtarake serbe ku, sipas akuzës, bënte pjesë edhe i pandehuri, të gjithë të armatosur dhe të uniformuar, me tanke, autoblinde dhe forca këmbësorie, u rrethua zona ku ishin strehuar rreth një mijë civilë shqiptarë të dëbuar nga disa fshatra të Malishevës. Civilët u detyruan më pas të dilnin në një livadh.
Aty, thuhet në aktakuzë, nga gratë dhe fëmijët u ndanë 35 burra civilë shqiptarë dhe u detyruan të rreshtoheshin, ndërsa të tjerët u larguan nën përcjelljen dhe kërcënimin e armëve. Menjëherë pas kësaj, sipas Prokurorisë Speciale, një pjesëtar i forcave policore serbe shtiu rafall me një pushkë automatike në drejtim të viktimave, duke vrarë 34 civilë shqiptarë.
Nga rreshti i të ndarëve mbijetoi vetëm një person. Aktakuza thotë se i dëmtuari, dëshmitari Nuredin Morina, shpëtoi duke rënë në tokë dhe duke u shtirur sikur kishte vdekur, për t'u larguar pas një kohe nga vendi i ngjarjes. Të nesërmen, sipas aktakuzës, forcat policore dhe ushtarake serbe u kthyen në atë vend dhe, me qëllim që t'i zhdukte dhe t'i fshihte gjurmët e krimit, masakruan trupat, i dogjën dhe i shpërndanë kufomat e viktimave nëpër rrugët e fshatit.
Pika e dytë e aktakuzës e ngarkon Morinën me dëbim. Sipas Prokurorisë, gjatë një aksioni të forcave policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, u bombarduan me artileri të rëndë fshatrat Dragobil, Astrazub, Shkozë, Marali dhe Burim, ndërsa më 31 mars 1999, të armatosur me armatim të rëndë dhe të uniformuar, shkuan te vendi i quajtur "Vrella e Mhillit" në fshatin Burim, ish-Joviq, i ndanë burrat nga gratë dhe i detyruan gratë të shkonin në fshatin Carravar, ku i vendosën në një shkollë.
Ramadan Morina mbetet i pandehur dhe akuzat ndaj tij nuk janë vërtetuar me vendim gjyqësor.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

