Dy të mbijetuar rrëfyen para Gjykatës Themelore në Prishtinë rrahjet, të shtënat dhe poshtërimet e vitit 1999 në fshatrat e Gjilanit. Pesë të akuzuarit, të cilët Prokuroria Speciale i ngarkon me vrasjen e tetë civilëve shqiptarë, janë deklaruar të pafajshëm.

Behxhet Mehmeti u ul të mërkurën para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe rrëfeu se paramilitarët, me gjakun që i rridhte nga plagët, i kishin vizatuar në trup simbolet serbe. "Me gjakun tim që e kam pas në fytyrë, më kanë vizatu simbolet serbe në gjoks", tha ai.
Dëshmia e tij u dëgjua në gjykimin ndaj Dragan Cvetkoviqit, Dragan Niciqit, Milosh Shoshiqit, Nenad Stojanoviqit dhe Slobodan Jetivqit, të cilët Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) i akuzon për krime lufte në fshatrat e regjionit të Gjilanit gjatë vitit 1999. Në seancën fillestare, të mbajtur më 15 janar 2025, të pesë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.
I pari në sallë foli Nazmi Hajdini. Sipas dëshmisë së tij, më 5 prill 1999, në orët e paraditës, ai pa shtëpi duke u djegur në fshatin Kokaj dhe nisi të largohej nga Llovca drejt fshatit Pogragjë. Rreth orës 14:00 u takua me R.D. dhe me njerëzit e tjerë që më vonë do të ishin viktima të kësaj ngjarjeje. Pas një bisede, vendosën të ktheheshin në Llovcë për të marrë ushqim.
Rruga e kthimit u ndërpre nga disa vetura civile që po u afroheshin. Prej tyre, tha Hajdini, dolën njerëz të armatosur, të veshur me uniforma ushtarake. "Për një moment, kanë dalë njerëz me uniforma edhe neve na kanë zbrit prej traktorit. Na kanë urdhëru me u shtri në bark, edhe unë kam dëgju krisma të pushkës", tregoi ai.
Pas të shtënave, njëri nga të armatosurit e urdhëroi t'i mblidhte trupat. Të vrarë ishin katër, tha dëshmitari, duke shtuar se nuk kishte dëgjuar britma, vetëm krismat e armëve. Më pas, sipas rrëfimit të tij, paramilitarët serbë e detyruan të shtrihej mbi trupat e të vrarëve, qëlluan drejt tij dhe e plagosën. Hajdini deklaroi se nuk e kishte njohur asnjërin nga sulmuesit.
Në sesionin e pasdites radha i erdhi Mehmetit. Ai tha se në fshatin Lupa, ndërsa po largoheshin, forcat serbe e rrahën. "Mua më kanë goditë me kondak të pushkës dhe çizme dhe ndërkohë jam gjakosë", u shpreh ai. Gjatë rrugës, sipas tij, i dëgjonte paramilitarët duke thirrur "gjuani", ndërsa ata që ishin në rimorkio detyroheshin të ngrinin tre gishta para çdo veture që kalonte.
Mehmeti shpjegoi para gjykatës se gjatë luftës fshatarët ishin organizuar në njësi, por jo të armatosura e as të uniformuara, me të vetmin qëllim mbrojtjen e civilëve në fshat. Ai pohoi gjithashtu se për situatën në regjion i kishte dorëzuar raport komandantit Rrustem Mustafa.
Aktakuza e PSRK-së, e ngritur më 27 dhjetor 2024, i ngarkon të pandehurit se, si pjesë e një grupi kriminal dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të paidentifikuar, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara e jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, ndërmorën një aksion në disa fshatra të regjionit të Gjilanit, ku u vranë tetë civilë shqiptarë. Aktakuza i vendos ngjarjet në orët e para të mëngjesit të 5 majit 1999, ndërsa Hajdini në dëshminë e tij foli për 5 prillin e atij viti.
Sipas prokurorisë, në vendin e quajtur "Kisha e Epërme", mes Inatocit (Kukajt) dhe Llovcës, të akuzuarit ndaluan Rr.I. dhe Xh.Z. Aktakuza pretendon se Rr.I. u maltretua dhe u godit me thika, Xh.Z. u vra me armë zjarri, ndërsa të dy viktimat u hodhën në një grumbull dushku të ndezur, kur Rr.I. ishte ende gjallë. Ngjarjen, sipas aktakuzës, e pa një dëshmitar okular, R.R.
Më tej, te "Lugu i Elbishtës", në drejtim të Llovcës, sipas prokurorisë u vranë R.D., S.Xh., Xh.H. dhe A.R. Një burrë tjetër, N.H., u urdhërua t'i grumbullonte trupat, pastaj u qëllua me automatik dhe mori dy plagë, në qafë dhe në shpatullën e majtë, por mbijetoi.
Aktakuza përshkruan edhe të shtëna në Llovcë drejt civilëve që largoheshin me traktorë: N.A. u plagos dhe më pas ndërroi jetë, ndërsa u plagos edhe M.A., atëherë një fëmijë dyvjeçar. Në dalje të fshatit Pogragjë, sipas prokurorisë, u qëllua N.R., i cili gjithashtu ndërroi jetë. Të pandehurit akuzohen edhe për maltretimin e F.H., B.M. dhe M.R.; dy të fundit, sipas aktakuzës, u dërguan në një kooperativë bujqësore në fshatin Pasjan, ku u keqtrajtuan në mënyrë çnjerëzore.
Seanca u mbyll pas dëshmisë së Mehmetit. Gjykimi do të vazhdojë ditëve në vijim me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

