Një kamion me shtëpi modulare të prodhuara në Pejë kaloi sot Dheun e Bardhë drejt Zvicrës. Është dërgesa e parë që niset nën Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë Kosovë-EFTA, dhe testi i parë praktik i saj.

Shtëpi modulare të prodhuara nga kompania pejane "Green House" kanë kaluar sot pikën doganore Dheu i Bardhë me destinacion Zvicrën. Është dërgesa e parë që niset në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s.
Ngarkesa shënon një nga hapat e parë konkretë në zbatimin e marrëveshjes, e cila hyn zyrtarisht në fuqi më 1 tetor 2026 dhe hap rrugën për eksportet kosovare drejt Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit.
Për eksportuesit, sinjali vjen bashkë me një kusht të qartë: lehtësitë nuk janë automatike. Mallrat duhet të plotësojnë rregullat e origjinës dhe kërkesat e përcaktuara në marrëveshje për të përfituar trajtim preferencial. Dogana e Kosovës ka theksuar rëndësinë e dëshmive të origjinës dhe të dokumentacionit gjatë deklarimit të mallrave që kërkojnë këtë trajtim.
Zvicra, ku po shkon kjo dërgesë e parë, është partner me peshë për Kosovën. Sipas autoriteteve zvicerane, tregtia dypalëshe e mallrave ndërmjet dy vendeve arriti gjatë vitit 2025 në rreth 175 milionë franga zvicerane. Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Zvicra përbën rreth 20 për qind të eksporteve të shërbimeve të Kosovës.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka bërë të ditur se do të vazhdojë t'i mbështesë bizneset me informim dhe sqarime për mundësitë që ofron marrëveshja, me synim rritjen e eksporteve, krijimin e partneriteteve të reja dhe zhvillimin ekonomik.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

