Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Norvegjia dhe Kanadaja e cilësojnë të "papranueshëm" tenderin izraelit për mijëra banesa te Jerusalemi, ndërsa OKB-ja e quan një "kërcënim ekzistencial" për shtetin palestinez.

Shtatë shtete perëndimore kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për të dënuar vendimin e Izraelit për të hapur tender për rreth 1200 banesa të reja në Bregun Perëndimor të pushtuar. Deklarata, e publikuar të enjten, mban firmën e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës, Norvegjisë dhe Kanadasë.
Në tekstin e përbashkët, shtatë vendet e cilësojnë tenderin si "të papranueshëm" dhe i kërkojnë Izraelit t'i tërheqë menjëherë planet. "Në një kohë paqëndrueshmërie serioze në Bregun Perëndimor, me nivele të paprecedenta dhune nga kolonët ndaj civilëve dhe me kufizime të rënda mbi ekonominë palestineze, ky vendim është edhe më shqetësues", thuhet në deklaratë. Sipas të njëjtit dokument, "planet jo vetëm që do të na largojnë më shumë nga paqja, por gjithashtu e dëmtojnë edhe më tej reputacionin ndërkombëtar të Izraelit".
Në një deklaratë të veçantë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e ka cilësuar planin një "kërcënim ekzistencial" ndaj një shteti palestinez të njësuar.
Bëhet fjalë konkretisht për planin izraelit të kolonizimit të njohur si E1, që parashikon ndërtimin e rreth 3400 banesave të reja në lindje të Jerusalemit. Qeveria izraelite ka hapur në gusht tenderët publikë për 1234 prej tyre.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

