Një cisternë kimike me flamur të San Marinos u përfshi nga flakët në Detin e Zi, vetëm disa orë pasi një dron u pa pranë portit rumun të Sulinës. Pesë persona janë shpëtuar, ndërsa shtatë anëtarë të ekuipazhit mungojnë ende.

Shtatë anëtarë të ekuipazhit të një cisterne kimike janë zhdukur pasi anija u përfshi nga zjarri në Detin e Zi, pranë ujërave territoriale të Rumanisë, të enjten në mëngjes, kanë bërë të ditur autoritetet rumune.
Sinjali i rrezikut nga cisterna, që lundronte me flamur të San Marinos, erdhi në orën 7 sipas orës lokale, rreth 13 milje detare larg Sulinës, një port në bregdetin lindor të Rumanisë, afër kufirit me Ukrainën. Sipas Autoritetit Detar Rumun, në ndihmë të ekuipazhit u nisën policia kufitare rumune dhe njësi të aviacionit. Deri tani janë shpëtuar pesë persona, njoftoi autoriteti detar.
Nuk është rasti i vetëm në këtë zonë brenda më pak se një dite. Vonë të mërkurën, një cisternë tjetër u përfshi nga zjarri pranë Sulinës, por autoritetet konfirmuan se ekuipazhi i saj ishte i sigurt. Për asnjërin prej dy incidenteve autoritetet rumune nuk kanë dhënë ende shkakun.
Zjarret shpërthyen disa orë pasi Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë shpalli alarm ajror rreth Ishullit të Gjarpërinjve, një territor ukrainas që ndodhet rreth 40 kilometra nga pika ku cisterna me flamur të San Marinos dërgoi sinjalin e rrezikut. Gjatë natës, sipas ministrisë, pranë Sulinës u pa edhe një dron, "pas së cilës u zhduk nga radari".
Ngjarja vjen në një kohë kur trafiku detar në Detin e Zi është nën presion të shtuar. Të paktën pesë anije tregtare janë goditur nga sulme të dyshuara me dronë gjatë dy javëve të fundit, në një rrugë kyçe nëpër të cilën kalon 95 për qind e eksporteve ukrainase të drithërave.
Më 6 tetor, dronë goditën dy anije në zonën ekonomike të Bullgarisë në Detin e Zi. Njëra prej tyre u fundos dhe 10 anëtarët e ekuipazhit të saj u zhdukën. Të martën u goditën edhe dy anije të tjera pranë Bullgarisë, me 11 anëtarë ekuipazhi që rezultojnë të zhdukur.
Çështja pritet të jetë në tryezë edhe në Bruksel, ku presidenti i Rumanisë, Nicusor Dan, do të takohet në orën 13:30 me kryeministrin e Bullgarisë, Rumen Radev, dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për bisedime në margjinat e samitit të Këshillit Europian.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

