Një vajzë e vogël dha alarmin kur nëna e saj nuk u kthye nga vrapimi i përditshëm. Trupi i saj u gjet të shtunën, dhe policia jugafrikane po heton tashmë vdekjet e shtatë grave në zonën e Kempton Park.

Një trup i ri u gjet të martën në mëngjes pranë Kempton Park, në verilindje të Johanesburgut, dhe policia jugafrikane e përfshiu në një hetim që tashmë mbulon vdekjet e shtatë grave brenda dy muajve. Shumica e tyre janë gjetur pjesërisht ose plotësisht të zhveshura.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, premtoi se nuk do të kursehet asgjë në gjetjen e atyre që qëndrojnë pas vrasjeve, duke përdorur shprehjen "no stone will be left unturned" ("nuk do të lihet gur pa lëvizur"). "Këto incidente po shkaktojnë frikë dhe pasiguri në komunitetet tona, dhe veçanërisht te gratë", tha ai. Ramaphosa bëri të ditur se ka urdhëruar që rastet të trajtohen me përparësi: "Agjencitë tona të zbatimit të ligjit po punojnë urgjentisht për të vërtetuar faktet, për t'i mbajtur komunitetet të sigurta dhe për ta sjellë para drejtësisë kryerësin ose kryerësit."
Policia thotë se në këtë fazë nuk i lidh vdekjet me një vrasës serial, por po heton mundësinë që pas tyre të qëndrojë një grup personash. "Mund të jetë një krim imitues që po ndodh pikërisht këtu, por deri tani nuk ka asnjë lidhje", tha zëdhënësja e policisë, brigadierja Athlenda Mathe.
Vetëm dy nga shtatë gratë janë identifikuar deri më tani. Të hënën policia bëri të ditur se njëra prej tyre ishte Elizabeth Moselakgomo, 38-vjeçare, vrapuese, zhdukja e së cilës javën e kaluar nxiti një kërkim të ethshëm dhe publik. Alarmin e dha vajza e saj e vogël, pasi ajo nuk u kthye nga vrapimi i përditshëm të mërkurën e kaluar. Trupi u gjet të shtunën dhe u identifikua të hënën nga të afërmit.
Kronologjia e zbulimeve shtrihet nga mesi i korrikut, kur u gjet trupi i gruas së parë, tek fundi i gushtit për të dytin. Të tjerët janë gjetur këtë muaj, dy prej tyre brenda dy ditëve të fundit. Të martën policia njoftoi se në hetim po përfshihet edhe trupi i një gruaje i gjetur më 7 shtator në një qytet pranë Kempton Park, duke e çuar numrin total në shtatë.
"Pasi vumë re se po merreshin trupa, u kthyem tek stacionet tona policore… dhe fatkeqësisht doli në dritë se trupi i një femre rreth fundit të të 20-tave ishte vërejtur në një lumë pranë një qendre tregtare", tha në një konferencë shtypi gjeneralmajori Fred Kekana, shef i përkohshëm i policisë për provincën Gauteng.
Një person është arrestuar në lidhje me gjetjen e trupit të parë dhe ndodhet ende në paraburgim policor; akuzat ndaj tij nuk janë bërë publike.
Policia u ka bërë thirrje grave në zonën e Kempton Park, që ndodhet pranë aeroportit kryesor ndërkombëtar të Afrikës së Jugut, të shmangin ecjen ose vrapimin të vetme, "veçanërisht në zona të izoluara". Komisioni jugafrikan për Barazi Gjinore u kërkoi banorëve të Kempton Park të bashkëpunojnë me policinë për gjetjen e kryerësve.
Zbulimet e trupave kanë shkaktuar indinjatë dhe frikë në të gjithë vendin, me kritika të shumta ndaj autoriteteve për dështimin në mbrojtjen e grave. Sipas UN Women, Afrika e Jugut ka një nga nivelet më të larta në botë të dhunës me bazë gjinore, ku norma me të cilën vriten gratë është pesë herë më e lartë se mesatarja globale.
Siç u theksua, këto vdekje tregojnë se "gratë në Afrikën e Jugut vazhdojnë të përballen me mjedise ku liria e tyre e zakonshme e lëvizjes mund të kthehet në çështje jete a vdekjeje" dhe se "gratë duhet të jenë në gjendje të vrapojnë, të ecin drejt punës, të përdorin transportin publik, të kthehen në shtëpi, të vizitojnë miqtë dhe të marrin pjesë në jetën e komunitetit pa qenë nevoja të llogarisin nëse një aktivitet i zakonshëm mund t'ua vërë jetën në rrezik".
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

