Brenda 12 orëve u raportuan 23 vatra zjarri anembanë Shqipërisë, tetë prej të cilave vazhdojnë të jenë aktive. Në front janë hedhur qindra forca, helikopterë dhe avionë, ndërsa disa zona malore mbeten nën ndërhyrje.

Tetë vatra zjarri vazhdojnë të djegin territorin shqiptar, ndërsa forcat e emergjencës punojnë pa ndërprerje për t'i vënë nën kontroll. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 12 orëve të fundit u raportuan gjithsej 23 vatra zjarri në të gjithë vendin, prej të cilave tetë mbeten aktive.
Përballja me flakët ka mobilizuar një dispozitiv të gjerë. Ministria bën të ditur se në operacione janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale dhe 103 efektivë të Forcave të Armatosura. Në ajër janë përdorur tre helikopterë dhe dy avionë "Air Tractor", të cilët i ndërprenë operacionet gjatë mbrëmjes.
Ndërhyrjet në terren po vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Drenie të Patosit, Krujë, si dhe në malin e Nemërçkës dhe malin e Dhëmbelit. Autoritetet theksojnë se në këto zona nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Një operacion tjetër i rëndësishëm po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku forcat zjarrfikëse, vullnetarët dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura janë vendosur pranë banesave për të mbrojtur komunitetin nga përparimi i flakëve.
Në anën tjetër, ka edhe një sukses: sipas Ministrisë së Mbrojtjes, zjarri në Vilëz të Kurbinit është shuar plotësisht.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, së bashku me strukturat vendore, po vijon koordinimin e operacioneve në terren deri në neutralizimin e plotë të të gjitha vatrave aktive.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

