Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, njoftoi nga takimi me shqiptarët e Miçiganit se Shqipëria do të hapë së shpejti një Konsullatë të Përgjithshme në Detroit, me premtimin e shërbimeve konsullore më të shpejta dhe lidhjeve më të forta ekonomike.

Shqipëria do të hapë së shpejti një Konsullatë të Përgjithshme në Detroit. Lajmin e dha ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i cili mori pjesë në takimin dhe diskutimin e kryeministrit Edi Rama me komunitetin shqiptar në Miçigan, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi takimin si një bisedë të hapur dhe të drejtpërdrejtë për Shqipërinë. Sipas tij, hapja e përfaqësisë së re konsullore do ta afrojë shtetin me qytetarët, duke ofruar shërbime konsullore më të mira, ndërveprim e mbështetje më të madhe, si dhe lidhje më të forta ekonomike e tregtare me aktorët dhe autoritetet vendore e shtetërore, në mbështetje të interesave kombëtare të Shqipërisë.
"Një pritje e shkëlqyer dhe një takim i ngrohtë mes kryeministrit Rama dhe shqiptarëve në Miçigan, ku rreh fort një nga zemrat e mëdha të komunitetit shqiptar, shtëpi e një prej komuniteteve më të mëdha shqiptaro-amerikane, e integruar mirë dhe e rrënjosur thellë në jetën amerikane, por gjithmonë e lidhur ngushtë me atdheun.
Një diskutim i hapur dhe i drejtpërdrejtë për Shqipërinë, shqiptarët dhe gjithçka që na bashkon.
Shqipëria do të hapë së shpejti një Konsullatë të Përgjithshme në Detroit, duke e afruar shtetin me qytetarët e tij përmes shërbimeve konsullore më të mira, ndërveprimit dhe mbështetjes më të madhe, si dhe lidhjeve më të forta ekonomike e tregtare me aktorët dhe autoritetet vendore e shtetërore, në mbështetje të interesave tona kombëtare.
Jemi të përkushtuar dhe do të bëjmë gjithçka të mundur që shërbimet tona publike të jenë pranë shqiptarëve kudo që nevojiten dhe të jenë sa më funksionale e efikase.
Sepse kudo që janë shqiptarët, atje është edhe Shqipëria. Shteti shqiptar duhet të jetë gjithashtu atje: pranë tyre, në shërbim të tyre dhe në krah të tyre, për të ruajtur, mësuar, zhvilluar dhe përcjellë gjuhën shqipe, për të ruajtur identitetin tonë, për të shfaqur me krenari ngjyrat kuq e zi dhe për t'i përcjellë brez pas brezi krenarinë për rrënjët tona.
Sepse distanca nuk e dobëson lidhjen me atdheun: shqiptarët, kudo që jetojnë, janë pjesë e së njëjtës histori, e së njëjtës gjuhë dhe e së njëjtës zemër", shkroi Hoxha.
Ministri theksoi se Shqipëria është e angazhuar që shërbimet publike të jenë pranë shqiptarëve kudo ku ka nevojë për to dhe sa më efikase. Miçigani strehon një nga komunitetet më të mëdha shqiptaro-amerikane, ndërsa data konkrete e hapjes së konsullatës në Detroit nuk është bërë e ditur.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

