Trupi i Lirim Hajredinit, për mbi 16 vjet drejtor operativ i televizionit Alsat, u gjet të enjten në mëngjes në qendër të Shkupit. Policia po heton rrethanat dhe nuk përjashton dyshimin për vetëvrasje.

Lirim Hajredini, i cili për më shumë se 16 vjet shërbeu si drejtor operativ i televizionit Alsat, është gjetur i vdekur të enjten në mëngjes në Shkup, pranë qendrës tregtare "Mavrovka".
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, alarmi mbërriti rreth orës 09:25, kur SPB Shkup u informua se para një ndërtese në bulevardin "Krste Misirkov" ndodhej një person me lëndime.
"Sot rreth orës 09:25 të mëngjesit, SPB Shkup ka marrë njoftim se para një ndërtese në bulevardin 'Krste Misirkov' në Shkup ka një person me lëndime. Në vendin e ngjarjes kanë dalë oficerë policie nga stacioni policor 'Bit Pazar' dhe kanë konstatuar se personi është L. H. (38) nga Shkupi, i cili ka ndërruar jetë nga lëndimet e marra, ndërsa një mjek nga Shërbimi i Mjekësisë së Shpejtë ka konfirmuar vdekjen. Është njoftuar prokurori publik dhe po kryhet inspektimi i vendit të ngjarjes", thuhet në njoftimin e MPB-së.
Rrethanat e vdekjes mbeten nën hetim. Sipas informacioneve fillestare, nuk përjashtohet mundësia e vetëvrasjes, ndërsa policia ka siguruar vendin e ngjarjes. Trupi do t'i nënshtrohet obduksionit për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të procedurave hetimore.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

