Greva e punëtorëve teknikë në shkollat fillore të Prishtinës është vetëm e pezulluar, jo e mbyllur. Sindikata thotë se memorandumi për pagën minimale nuk po nënshkruhet dhe cakton 6 tetorin si afat.

Punëtorët teknikë të shkollave fillore në Prishtinë kërcënojnë se do të rikthehen në grevë më 6 tetor, nëse pagat e muajit shtator nuk paguhen sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës për pagën minimale.
Paralajmërimin e ka bërë kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Publik të Kosovës (FSPTSPK), Jusuf Azemi, i cili thotë se ka marrë informacione nga disa udhëheqës të Komunës së Prishtinës lidhur me fatin e memorandumit për pagën minimale.
“Kemi informacione nga disa udhëheqës të Komunës së Prishtinës se memorandumi për pagën minimale për punëtorët teknikë në shkollat fillore dhe të mesme është në tavolinën e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, por ky i fundit nuk është duke e nënshkruar”, ka deklaruar Azemi.
Sindikalisti shkon më tej dhe vë në dyshim vetë vendndodhjen e dokumentit: “Kemi dyshime se ky dokument nuk është në tavolinën e Kryetarit, ose se Kryetari nuk është duke i ditur pasojat që kjo situatë është duke ua sjellë shkollave në Komunën e Prishtinës”.
Azemi ka theksuar se protesta e mëparshme nuk ka përfunduar, por vetëm është ndërprerë përkohësisht. “Njoftojmë opinionin, prindërit e nxënësve dhe vetë nxënësit se, nëse pagat për muajin shtator nuk janë në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, të gjitha shkollat fillore do ta rifillojnë grevën, pasi ajo vetëm është pezulluar”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit, ai i është drejtuar me thirrje Komunës së Prishtinës: “Andaj, ju bëjmë thirrje që, me kokë të ftohtë, ta përmbushni obligimin lidhur me zbatimin e vendimit të Qeverisë për pagën minimale. Në të kundërtën, pa hezitim, më 6 tetor do të jemi në grevë”.
Nga Komuna e Prishtinës dhe nga kryetari Përparim Rama nuk ka një përgjigje publike ndaj akuzave të sindikatës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

