Një ish-ministre e PDK-së, e propozuar nga Vetëvendosja, u bë presidente e Kosovës me 81 vota. Marrëveshja e minutave të fundit shmangu zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe lidhi dy partitë më rivale të vendit.

Me 81 vota pro, Justina Shiroka Pula u zgjodh presidente e Kosovës. Ajo dikur ishte ministre e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), por emrin e saj për krye të shtetit e propozoi Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Zgjedhja erdhi pas një marrëveshjeje politike të arritur në minutat e fundit, e cila i shpëtoi vendit zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Për dy parti që kanë kaluar vite të tëra duke theksuar dallimet mes tyre, kjo pikë takimi ka peshë të veçantë. LVV-ja e ka ndërtuar një pjesë të madhe të identitetit të saj mbi kundërshtimin e qeverisjeve të kaluara të PDK-së.
Bisedimet u zhvilluan nën presionin e afateve kushtetuese, ndërsa jashtë ndërtesës së Kuvendit protestuesit kërkonin ndryshime në ligjin për Gjykatën Speciale. Brenda sallës, interesat ishin të qarta: LVV-ja kishte nevojë për votat e PDK-së për të siguruar kuorumin për zgjedhjen e presidentit, kurse PDK-ja kërkonte mbështetje për ndryshimet ligjore. Shmangia e një procesi tjetër zgjedhor ishte përcaktuese në llogaritjet e të dyja palëve.
Menjëherë pas votimit, Shiroka Pula u zotua për pavarësi dhe për rolin unifikues të institucionit: "Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona."
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e mbrojti zgjedhjen si votë besimi dhe jo thjesht si dalje nga kriza: "Natyrisht në këtë situatë jemi munduar që kemi menduar e kemi vepruar me besimin se akademike Shiroka Pula, profesoreshë Justina, do të kryente me përgjegjësi të lartë mandatin e saj si presidente e vendit. Pra ishte një person te e cila ne kemi besim dhe këtë e dëshmuam edhe me votën tonë e jo vetëm sa një propozim për të shmangur zgjedhjet e reja."
E pyetur pse Vetëvendosja mbështeti një ish-zyrtare të PDK-së, Nagavci shtoi: "Unë besoj që me përgatitjen e saj profesionale, me integritetin e saj, me gjithçka që përfaqëson puna e saj ndër dekada, tashmë ajo është e vetëdijshme për rolin e saj unifikues dhe për përgjegjësitë që si presidente e shtetit ka që të jetë mbi partitë."
E kaluara politike e presidentes së re nuk është e largët. Në periudhën 2008-2011 ajo drejtoi Ministrinë e Energjisë dhe Minierave në qeverinë e Hashim Thaçit dhe mbeti deputete e PDK-së deri në vitin 2014. Pas kësaj u tërhoq nga politika aktive dhe iu kushtua punës akademike, fillimisht në Universitetin e Prishtinës e më pas në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), ku në fund të vitit 2025 u zgjodh kryetare. Pikërisht kjo shkëputje prej më shumë se një dekade nga politika partiake u bë element kyç që emri i saj të pranohej nga të dyja kampet.
Petrit Selimi, i cili e njeh Shiroka Pulën nga koha kur të dy ishin të angazhuar në PDK, e përshkruan si personalitet të palëkundur: "Zonja presidente nuk është person me të cilin nëse dikush kujton që mund ta kontrollojë apo mund të bëjë presion apo mund ta ndikojë gabohet, sepse është shumë e pavarur. Ka mendime shumë precize, shumë koncize për gjëra, di me thënë jo, di me thënë po kur duhet."
Sipas Selimit, ndarja mes dy partive nuk ka qenë gjithmonë çështje idesh: "Nganjëherë problemi nuk ka qenë ideologjik mes PDK-së apo VV-së, por më shumë i një mosdurimi ta quaj njerëzor, një antagonizmi të ndërtuar ndër vite dhe një koncepti qeverisës që kemi parë këto gjashtë vjet të fundit të një nevoje që të gjithë ata që kanë qenë të kaluar të quhen regjim i vjetër."
Analisti politik Arben Qirezi e sheh marrëveshjen si përputhje interesash: "Interesat janë përputhur edhe të Lëvizjes Vetëvendosje edhe të Partisë Demokratike të Kosovës… miratimi i ligjit për Gjykatën Speciale dhe shmangia e zgjedhjeve të parakohshme ka bërë që këto dy parti të pajtohen për një personalitet më të pranueshëm për të dyja forcat politike." Sipas tij, sfida kryesore e mandatit pesëvjeçar do të jetë ulja e tensioneve në skenën politike.
Në vizitat e para pas marrjes së detyrës, Shiroka Pula zgjodhi tri ndalesa simbolike: Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, varrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe atë të veprimtarit Adem Demaçi.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

