Në oborrin e Presidencës, Justina Shiroka-Pula merr sot zyrtarisht detyrën e presidentes së Kosovës, para krerëve të institucioneve, policisë, inteligjencës dhe ushtrisë. Nga Brukseli, raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, ka uruar presidenten e re dhe ka renditur prioritetet që e presin.

Oborri i Presidencës në Prishtinë është sot skena e inaugurimit të Justina Shiroka-Pulës, e cila merr zyrtarisht detyrën e presidentes së Kosovës. Ceremonia solemne nis në orën 15:00 dhe përgatitjet për të kanë përfunduar.
Pranë saj janë mbledhur figurat kryesore të shtetit. Në mesin e të pranishmëve janë kryeministri Albin Kurti, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.
Në ceremoni merr pjesë edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila e ka zënë tashmë vendin e saj, si dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe, Emilija Rexhepi. Lista e të ftuarve plotësohet me ministra dhe personalitete të tjera publike.
Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës me 81 vota, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të mbajtur mbrëmjen e 6 tetorit, një votim që i shmangu vendit zgjedhjet e parakohshme.
Pikërisht këtë pikë e theksoi raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, në reagimin e tij pas zgjedhjes. "Urime Justina Shiroka Pulës për zgjedhjen si Presidente e Kosovës. Me shmangien e zgjedhjeve të parakohshme, prioritete janë institucionet e qëndrueshme, sundimi i ligjit dhe përparimi drejt BE-së. Mezi pres t'ju takoj, zonja Presidente", shkroi Terras.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

