Pas presidentit hungarez, Andras Baka, presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, u ul edhe me kryeministrin Peter Magyar, në ditën kur Hungaria shënoi 70 vjet nga Revolucioni i vitit 1956. Në qendër të vizitës mbetet kërkesa e Prishtinës për mbështetje drejt statusit të kandidatit në BE.

Presidentja Shiroka Pula u prit nga kryeministri Magyar dhe mori pjesë në shfaqjen solemne për 70-vjetorin e Revolucionit Hungarez
Vizita e presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në Hungari ka përfshirë edhe një takim me kryeministrin hungarez, Peter Magyar. Takimi u zhvillua në kuadër të shfaqjes solemne për 70-vjetorin e Revolucionit Hungarez, pa u bërë publike temat që u diskutuan mes të dyve.
Pas bisedës me Magyar, Shiroka-Pula ndoqi ceremoninë përkujtimore. "Pas takimit, Presidentja Shiroka-Pula mori pjesë në shfaqjen solemne në Teatrin e Operës, të organizuar për nder të 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez të vitit 1956, me interpretime muzikore dhe artistike nga artistë dhe ansamble hungareze", thuhet në njoftimin e Presidencës.
Takimi me kryeministrin erdhi pas një dite me agjendë diplomatike të ngjeshur. Më herët, presidentja ishte pritur nga presidenti i Hungarisë, Andras Baka, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet mes dy vendeve. "Presidentja Shiroka-Pula vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, duke rikujtuar se Hungaria ishte ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës, më 19 mars 2008. Ajo shprehu interesimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh", njoftoi Presidenca.
Gjatë takimit me Bakan, Shiroka-Pula vuri theksin te nevoja për të gjetur fusha të reja bashkëpunimi, veçanërisht në ekonomi, arsim dhe mbrojtje.
Pjesa më e rëndësishme politike e bisedës ishte integrimi evropian. Sipas Presidencës, Shiroka-Pula theksoi se "anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i Kosovës" dhe kërkoi mbështetjen e Hungarisë që vendi të avancojë drejt statusit të kandidatit për anëtarësim, si dhe në hapat e mëtejshëm të procesit.
Presidentja falënderoi gjithashtu Hungarinë për kontributin e saj në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke e cilësuar atë të rëndësishëm "për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit". Në përmbyllje të takimit, ajo e ftoi Presidentin Baka për një vizitë në Kosovë, në një kohë që u përshtatet të dyja palëve.
Ndërsa Serbia shkon drejt zgjedhjeve, në Partesh po shtrohet me asfalt një rrugë, dhe dyshimet për financimin e saj drejtohen te presidenti serb. Drejtorët komunalë nuk japin shpjegime.

