Një shi i papritur e ktheu një festë fetare hindu në tragjedi në Indi. Mes viktimave të shtypjes në Kolkata është edhe një vajzë shtatëvjeçare, ndërsa 25 persona po marrin mjekim.

Një shi i papritur, një turmë që kërkon strehë dhe një njoftim që ndez rrëmujën. Kaq mjaftoi që një ngjarje kushtuar festës hindu Durga Puja në qytetin indian Kolkata të përfundonte me të paktën 17 të vdekur, sipas zyrtarëve. Shumë të tjerë mbetën të plagosur.
Kryeministri i shtetit indian të Bengalit Perëndimor, Suvendhu Adhikari, bëri të ditur se mes të vdekurve është edhe një vajzë shtatëvjeçare. Sipas tij, 25 persona po trajtohen për lëndimet e marra, ndërsa gjashtë nga viktimat janë identifikuar deri tani.
Dëshmitarët tregojnë se gjithçka nisi kur ra shiu befas dhe njerëzit u vërsulën njëherësh për t'u strehuar. Një zyrtar i lartë i policisë e përshkroi çastin kur situata doli jashtë kontrollit: pasi filloi shiu, një njoftim shkaktoi "rrëmujë", ndërsa turma nisi të "shtynte, të tërhiqte e të vërsulej përpara dhe ra përtokë, gjë që çoi në shtypjen masive".
Kryeministri indian, Narendra Modi, e cilësoi ngjarjen "tragjike" dhe deklaroi se qeveria rajonale po u jep ndihmë familjeve të prekura.
Tragjeditë me turma nuk janë të rralla në Indi, përfshirë gjatë festave fetare, për shkak të menaxhimit të dobët dhe mungesës së masave të duhura të sigurisë. Dy vjet më parë, 121 njerëz humbën jetën në Uttar Pradesh gjatë një tubimi fetar hindu.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

