Flamuj kombëtarë, simbole të UÇK-së dhe pankarta kanë mbushur qendrën e Prishtinës orë para nisjes së "Marshit për Liri" në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Qendra e Prishtinës u mbush me qytetarë shumë para orës së nisjes. Sheshi "Skënderbeu" u bë sot vendtakimi i "Marshit për Liri", protestës mbështetëse për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Marshi ishte paralajmëruar të nisej në orën 14:00, por një numër i madh pjesëmarrësish kishin arritur në shesh shumë më herët. Mes turmës shiheshin flamuj kombëtarë, simbole të UÇK-së dhe pankarta në mbështetje të ish-krerëve të saj. Në Prishtinë kanë udhëtuar njerëz nga qytete të ndryshme të Kosovës, si dhe nga diaspora, pasi organizatorët kishin bërë thirrje për pjesëmarrje masive.
Drejt marshit është nisur edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, njëri nga emrat kyç të UÇK-së, i shoqëruar nga gruaja dhe djali i tij, nga kreu i Aleancës, Ardian Gjini, dhe nga bashkëpunëtorë të tjerë.
Haradinaj tha se numri i madh i qytetarëve në shesh u dërgon mesazh ish-krerëve të UÇK-së në Hagë se Kosova është me ta dhe se i shpall të pafajshëm. Sipas tij, ata duhet të lirohen dhe vendimi i Hagës duhet të jetë lirues.
"Kjo është shprehje e vetëdijes së lartë kombëtare së pari dhe një bindje e plotë që lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë e pastër dhe ka vetëm një vendim të drejtë, shpallja të pafajshëm dhe kthimi i tyre në Kosovë. Sot populli i Kosovës edhe njëherë ua konfirmon atyre dhe i shpall të pafajshëm, pra e gjithë kjo prezencë, gjithë ky vullnet pa dallim përkatësie i shpall të pafajshëm", deklaroi Haradinaj.
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon në Hagë, ku ata mbeten të akuzuar deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

