Para se Kosova të dalë sërish në tryezën e Këshillit të Sigurimit në tetor, shefi i UNMIK-ut, Peter Due, zhvilloi takime në Beograd me krerët serbë për Kosovën. Njoftimi i misionit për vizitën po tërheq vëmendje edhe për shkurtesën "OKiM", që i referohet emërtimit serb "Kosovë e Metohi".

Shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Peter Due, ka qenë në Beograd, ku u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, dhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën dhe Metohinë, Petar Petkoviq. Vizita erdhi në prag të seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, e cila do të mbahet në tetor.
Në kryeqytetin serb, Due, i cili mban edhe funksionin e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm (SRSG), pati takime edhe me përfaqësues të komunitetit diplomatik. Sipas komunikatës së UNMIK-ut, me bashkëbiseduesit e tij ai "shkëmbeu pikëpamje për zhvillimet e fundit, rëndësinë e dialogut dhe punën e vazhdueshme të UNMIK-ut, përfshirë përpjekjet për ndërtimin e besimit ndërmjet të gjitha komuniteteve në Kosovë".
Misioni i OKB-së nuk ka dhënë detaje të tjera mbi përmbajtjen e bisedave, përtej këtyre temave të përgjithshme.
Njoftimi i misionit ka tërhequr vëmendje edhe për gjuhën e përdorur. Gazeta Express raporton se në komunikatën e UNMIK-ut figuron shkurtesa "OKiM", e cila i referohet emërtimit serb "Kosovë e Metohi".
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

