Ali Safiuddin humbi vajzën një-vjeçare në luftën e vitit 2006 dhe tre nga njerëzit e ekipit të tij në një sulm izraelit më 28 prill. Një film i ri i Al Jazeera-s rrëfen jetën e një shpëtimtari në jugun e Libanit, ku armëpushimi ekziston vetëm mbi letër.

Në jugun e Libanit armëpushimi ekziston mbi letër, por bombardimet dhe granatimet vazhdojnë përgjatë "Vijës së Verdhë", zonën që Izraeli e ka shpallur si brez sigurie. Në qytetin më të madh të jugut, Tir, punon Ali Safiuddin, shefi i Mbrojtjes Civile, një burrë që tërë jetën e ka kaluar duke nxjerrë njerëz nga rrënojat — dhe që i humbi vetë ata që i donte më shumë.
Historia e tij është në qendër të një filmi të shkurtër të ri të Al Jazeera Originals, me titull "Ata që nuk mundëm t'i shpëtonim" ("The Ones We Couldn't Save"). Në një mëngjes të fundit të qershorit, Safiuddin e përshkroi situatën me fjalët: "Gjërat janë relativisht normale". "Pas armëpushimit, sulmet e vetme që kanë ndodhur janë në al-Mansuri dhe Maxhadal [dy komuna në rrethin e Tirit], përgjatë 'Vijës së Verdhë'", tha ai.
"Relativisht normale" do të thotë se ushtria izraelite nuk po e godet drejtpërdrejt Tirin. Por lufta vazhdon në periferi të tij, përgjatë zonës ushtarake të imponuar nga Izraeli, e cila shtrihet rreth 10 kilometra brenda kufijve libanezë.
Humbja e ka shoqëruar Safiuddinin që herët. Gjatë luftës së vitit 2006 mes Izraelit dhe Hezbollahut, ai e çoi gruan dhe vajzën e tij njëvjeçare, Lynn, në një strehë nën qendrën e Mbrojtjes Civile, duke menduar se aty do të ishin të sigurt. Izraeli e goditi ndërtesën dhe Lynn u vra. Ai thotë se ajo humbje e ndjek ende sot, por edhe e shtyn të vazhdojë misionin: "Ndiej se vajza ime, shpirti i vajzës sime, është me mua".
Në film, Safiuddin kujton çastin kur shpëtoi një vajzë pas shpërthimit të Bejrutit në vitin 2020, kur një stok me nitrat amoni shpërtheu në portin e qytetit, duke vrarë të paktën 218 persona dhe plagosur mijëra të tjerë. "Nxorëm një vajzë pas 18 orësh pune me duar nën tre kate. Në atë kohë ajo ishte rreth 14 vjeçe. Po të ishte gjallë vajza ime, do të ishte në moshën e saj", tha ai. "Kjo vajzë mbeti gjallë, kështu që ndiej se po e sjell përsëri shpirtin e vajzës sime".
Puna e tij ndërthuret edhe me familjen në një kuptim tjetër. Djali i tij 18-vjeçar, Husein, tashmë shërben krah tij në Mbrojtjen Civile. Por Safiuddin i quan "bij" të gjithë burrat nën komandën e tij. "Secili prej tyre kaloi vite me mua. Jetuan pranë meje. Nuk isha thjesht shefi i stacionit të tyre, isha babai i tyre", tha ai.
Ajo lidhje u shndërrua në dhimbje më 28 prill, kur një sulm izraelit i tipit "goditje e dyfishtë" në fshatin Maxhdal Zun vrau tre nga njerëzit e ekipit të tij: Husein Gadbunin, Husein Satin dhe Hadi Daherin. Daher, njëri prej tre të vrarëve, kishte qenë vullnetar me ekipin e Safiuddinit që në moshën 15-vjeçare.
Sipas Kombeve të Bashkuara, Izraeli ka goditur vazhdimisht reaguesit e parë dhe punonjësit shëndetësorë të Libanit, duke vrarë të paktën 135 prej tyre që nga fillimi i marsit. Goditjet ndodhin shpesh pikërisht kur shpëtimtarët mbërrijnë në vendin e një sulmi ajror për të kërkuar të mbijetuar. Kjo i ka detyruar ata të ndryshojnë mënyrën e punës: "Një autoambulancë hyn në vendin e sulmit, ndërsa një e dytë pret jashtë, në rast se diçka i ndodh ekipit", shpjegoi Safiuddin.
Për të, humbja e fundit e kolegëve është dëshmi e vetë natyrës së luftës. "Sidomos me vrasjen e kolegëve të mi, kjo e tregon vërtet brutalitetin e luftës dhe atë që po bën Izraeli — vrasjen e fëmijëve, të të moshuarve", tha ai.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

