Ndërsa Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar mbi dy muaj pas zgjedhjeve, Uashingtoni paralajmëron se ngërçi po sjell "mundësi të humbura" — dhe fondet evropiane rrezikojnë të mbeten pezull.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar thirrjen ndaj udhëheqësve politikë të Kosovës që të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve, në përputhje me Kushtetutën dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Mesazhi vjen në një moment kur Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar, dy muaj pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se liderët politikë duhet të punojnë së bashku për tejkalimin e ngërçit institucional. "Ky ngërç i vazhdueshëm politik po rezulton në mundësi të humbura për Kosovën. Është koha që udhëheqësit t'i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve", tha zëdhënësi.
Është thirrja e dytë e ngjashme e Uashingtonit brenda një kohe të shkurtër. Një kërkesë të njëjtë për bashkëpunim e kishte bërë edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë më 12 gusht 2026.
Ngërçi nisi që në seancën konstituive të legjislaturës së re, e cila filloi më 6 gusht 2026. Deputetët bënë betimin, por procesi nuk kaloi në fazën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Albin Kurti, në cilësinë e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë, duke thënë se ende nuk kishte marrëveshje për formimin e institucioneve. Seanca u ndërpre dhe u caktua të vazhdonte më 8 gusht.
As në vazhdimin e 8 gushtit nuk pati kandidaturë për kryetar të Kuvendit. Kurti kërkoi sërish kohë shtesë, por pas kësaj deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij. Pas incidentit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ndërpreu punimet.
Që atëherë procesi ka mbetur i bllokuar. Dehari ka thënë se seanca e radhës do të thirret vetëm kur partitë të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, me argumentin se pa një ujdi politike nuk ka kuptim që seanca të mbahet thjesht si formalitet.
Në përpjekje për një zgjidhje, më 18 gusht Kurti u takua me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, me fokus te zgjedhja e presidentit të ardhshëm. Pas takimit të dy thanë se kishte vullnet për të gjetur një zgjidhje dhe u pajtuan që në takimin e radhës të shqyrtojnë emra konkretë për postin e presidentit.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë mbajtur qëndrim të kundërt: kërkojnë që seanca të vazhdojë pa pritur një marrëveshje politike. Më 12 gusht, deputetë të këtyre dy partive u mblodhën në sallën e Kuvendit duke kërkuar nga Dehari ta thërriste vazhdimin e seancës, ndërsa pati edhe përplasje me deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Presioni ndërkombëtar nuk vjen vetëm nga Uashingtoni. Edhe Bashkimi Evropian u ka bërë më herët thirrje partive që të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje, duke paralajmëruar se ngërçi politik dhe vonesat në reforma mund ta kufizojnë aftësinë e Kosovës për të përfituar nga mbështetja evropiane.
Rreziku është konkret. Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosovës i janë vënë në dispozicion 882.6 milionë euro në grante dhe kredi të favorshme deri në fund të vitit 2027, por pagesat lidhen me përmbushjen e hapave të Agjendës së Reformave. Komisioni Evropian ka përcaktuar 111 hapa reformues; për 13 prej tyre, me vlerë të përbashkët 90.8 milionë euro, afati i parë ishte 30 qershori 2026, ndërsa 27 hapa të tjerë, me vlerë 165.9 milionë euro, kanë afat deri në fund të dhjetorit.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se ngërçi i zgjatur politik ka kufizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e agjendës së reformave dhe qasjen në financime të jashtme.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

