Administrata Trump ka vënë në listën e zezë presidenten e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, japonezen Tomoko Akane, dhe një nga avokatët e saj kryesorë, në një fushatë të deklaruar për ta "shkatërruar" institucionin e Hagës.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka shtuar në listën e individëve të sanksionuar kreun e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) dhe një nga avokatët e saj të lartë, duke e ashpërsuar edhe më tej përplasjen me institucionin e drejtësisë me seli në Hagë.
Të martën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i paraqiti sanksionet e zgjeruara si pjesë të fushatës së tij për ta "shkatërruar" gjykatën ndërkombëtare. "Administrata Trump po sanksionon presidenten e GJPN-së, Tomoko Akane, dhe avokatin e lartë Abdoulaye Seye në misionin tonë të palëkundur për t'i mbrojtur amerikanët nga kjo gjykatë mashtruese", shkroi Rubio në rrjetet sociale. "Në nderim të Deklaratës sonë të Pavarësisë, amerikanët nuk do të transportohen kurrë përtej deteve për t'u gjykuar për vepra të trilluara."
Akane, gjyqtare nga Japonia, shërben si presidente e GJPN-së që nga zgjedhja e saj në mars 2024. Seye, me origjinë nga Senegali, punon si avokat i lartë i gjykimeve në gjykatë.
Sanksionet ngrijnë çdo pasuri që të dy mund të kenë në Shtetet e Bashkuara dhe kufizojnë entitetet me bazë në SHBA nga kryerja e transaksioneve me ta, duke nisur nga 17 shtatori.
Ky nuk është veprimi i parë i këtij lloji. SHBA-ja ka sanksionuar tashmë më shumë se një duzinë gjyqtarësh dhe prokurorësh të GJPN-së, çka ka shkaktuar një reagim nga institucionet financiare që i shkëput ata nga një pjesë e madhe e sistemit bankar ndërkombëtar. Krahas kësaj, Uashingtoni ka vendosur kufizime financiare ndaj grupeve për të drejtat e njeriut dhe figurave si raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara, Francesca Albanese, duke përmendur bashkëpunimin e tyre me gjykatën.
Presioni ka nxitur kundërveprim. Në qershor, tre gjyqtarë të GJPN-së paditën administratën Trump për sanksionet, duke i cilësuar ato si një mjet "arbitrar dhe kapriçoz" për të kufizuar pavarësinë gjyqësore të gjykatës. Vetë GJPN-ja i ka denoncuar përpjekjet e administratës amerikane si një mjet për të gërryer sundimin e ligjit. "Kur aktorët gjyqësorë kërcënohen për zbatimin e ligjit, në rrezik vihet vetë rendi juridik ndërkombëtar", tha gjykata në një deklaratë.
Nga ana e saj, administrata Trump argumenton se GJPN-ja ka tejkaluar autoritetin e vet duke hapur hetime për veprime të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe aleati i tyre i ngushtë, Izraeli. Asnjë nga të dyja vendet nuk është anëtare e gjykatës. Mbështetësit e saj, ndërkohë, argumentojnë se gjykata ka juridiksion të hetojë dhe të ndjekë penalisht veprimet e kryera në 125 shtetet e saj anëtare, edhe kur autorët e tyre gjenden jashtë kësaj anëtarësie. Mandati i gjykatës është të hetojë krime të rënda ndërkombëtare, përfshirë gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.
Përplasja ka rrënjë konkrete. Në vitin 2020, GJPN-ja hapi një hetim për akuzat e krimeve të luftës të SHBA-së në Afganistan, ku Uashingtoni kishte udhëhequr një luftë deri në vitin 2021. Më së fundi, në vitin 2024, gjykata lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime të pretenduara lufte gjatë luftës së Izraelit në Gaza.
Administrata Trump ka protestuar kundër hetimeve për veprimet e SHBA-së dhe të Izraelit. Në korrik, Rubio lëshoi një deklaratë ku e cilësoi gjykatën një "kërcënim të patolerueshëm" ndaj sovranitetit të të dyja vendeve dhe premtoi se do ta shkatërronte atë.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

