Ish-diplomati amerikan Daniel Serwer thotë se e mbështeti krijimin e Dhomave të Specializuara për të hetuar pretendimet për trafikim organesh, por që provat nuk u gjetën dhe gjykata "ka dalë diku tjetër". Mbajtjen e ish-krerëve të UÇK-së në paraburgim mbi pesë vjet pa verdikt e quan të papranueshme.

Ish-diplomati amerikan Daniel Serwer, njëri nga zërat që në fillim e mbështetën themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, tani thotë se është penduar për atë qëndrim. Kritika e tij nis pikërisht nga arsyeja për të cilën, sipas tij, u krijua gjykata: pretendimet për trafikim të organeve njerëzore, të ngritura në raportin e ish-senatorit zviceran Dick Marty.
"Fakti i çështjes është që nuk është gjetur asnjë lloj dëshmie apo fakti për të vërtetuar pretendimet për trafikim organesh", deklaroi Serwer.
Problemi, sipas vlerësimit të tij, lind pas kësaj: gjykata, kur nuk gjeti prova për këto pretendime, e zgjeroi mandatin edhe në veprime të tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. "Për mua, nëse krijon një gjykatë për të hetuar një pretendim, dy pretendime të caktuara, sigurisht që duhet të hetohen ato pretendime të caktuara. Kjo është bërë, nuk janë gjetur faktet, por pastaj kanë dalë diku tjetër. Për mua kjo nuk është legjitime", thotë ai.
Serwer kritikon edhe mënyrën si është trajtuar struktura komanduese e UÇK-së, duke pohuar se ajo nuk ka pasur zinxhir komandues të centralizuar të ngjashëm me atë të forcave serbe. "UÇK-ja sigurisht që ka qenë grup i paligjshëm në kuptimin e pushtetit të Serbisë, por kjo nuk është gjë për t'u marrë me të një tribunal ndërkombëtar", u shpreh ai për RTK-në.
Një tjetër pikë e kritikës së tij është baza e informacioneve: sipas Serwerit, gjykata është mbështetur shumë në informacione të siguruara nga Serbia, të cilat, thotë ai, mund të kenë qenë të sakta ose të pasakta. Për një qëllim të mundshëm politik amerikan në themelimin dhe funksionimin e gjykatës, ai thotë se është e vështirë të përcaktohet, por theksoi se procesi ka pasur ndikim të madh politik në Kosovë.
Pjesa më e prerë e deklaratave të tij i takon paraburgimit. Mbajtjen e ish-krerëve të UÇK-së për më shumë se pesë vjet pa një verdikt përfundimtar ai e quan të papranueshme: "Mbajtja në burg për pesë vjet me radhë pa dënim, pa verdikt gjyqësor, thjesht është e papranueshme".
Serwer e lidh procesin edhe me stabilitetin rajonal dhe me rrugën euroatlantike të Kosovës. "Sigurisht që s'kam si ta di, por sinqerisht shpresoj që të mos çrregullojë edhe më tutje gjendjen në Ballkan. Dhe besoj që ka potencial për të ndodhur kjo, sidomos kur e shohim Serbinë që bën atë nderimin për Mlladiçin dhe është gjë normale që viktimat e Mlladiçit dhe pastaj të Millosheviçit të reagojnë në mënyrë të kundërt, ose në drejtimin e kundërt. Është një bombë me sahat në njëfarë mënyre dhe nuk do të doja që kjo të ndikojë negativisht në perspektivën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO e pastaj edhe në BE", tha ai.
Nga Dhomat e Specializuara nuk ka reagim ndaj këtyre vlerësimeve.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

