Svetozar Maroviq nuk u shpall i pafajshëm: dënimi i tij për korrupsion thjesht u parashkrua, ndërsa ai jetonte i qetë në Serbi. Rasti i tij hap një listë të gjatë të dënuarish dhe të kërkuarish, nga krimet e luftës në Bosnjë te sulmi në Banjskë, që Beogradi refuzon t'i dorëzojë.

Që nga 10 tetori, Svetozar Maroviq, ish-presidenti i Unionit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, është njeri i lirë. Jo sepse një gjykatë e shpalli të pafajshëm, por sepse dënimi që i ishte shqiptuar në Mal të Zi për korrupsion u parashkrua. Maroviq kishte ikur në Serbi pas shpalljes së vendimit gjyqësor në vitin 2016 dhe prej andej priti që koha të punonte në favor të tij.
Beogradi refuzoi ta ekstradonte deri në ditën kur dënimi u shua, ndonëse me Podgoricën ka një marrëveshje për ekstradimin e ndërsjellë të shtetasve të akuzuar për krim të organizuar, korrupsion dhe vepra të tjera të rënda penale.
Marrëveshje të tilla dypalëshe, që vendet e Ballkanit Perëndimor nisën t'i nënshkruanin kryesisht nga viti 2010, u menduan pikërisht për të mbyllur një shteg të vjetër: keqpërdorimin e shtetësisë së dyfishtë dhe arratisjen në një vend fqinj për t'i shpëtuar drejtësisë. Në praktikë, shpesh nuk funksionojnë. Ato nuk zbatohen për veprat penale të kryera para nënshkrimit të tyre, ndërsa mes Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës nuk vlejnë as për krimet e luftës. Kufijtë e depërtueshëm dhe pasaporta e dytë kanë bërë pjesën tjetër.
Vesna Rakiq Vodineliq, profesoreshë e pensionuar e së Drejtës nga Beogradi, i tha Radios Evropa e Lirë se lidhjet politike kanë ndikim të madh në vendimet për refuzimin e kërkesave të shteteve fqinje për ekstradim. Sipas saj, Maroviq është dashur të ekstradohej.
Krime lufte pa ndëshkim
Novak Gjukiq, ish-gjeneral i Ushtrisë së Republikës Sërpska, është dënuar në Sarajevë me 20 vjet burgim për krime lufte, për vrasjen e 71 civilëve në zonën e njohur si Kapija, në Tuzllë. Ai nuk ka vuajtur asnjë ditë nga ky dënim. Në vitin 2014, pak para se gjykata në Bosnjë e Hercegovinë të shpallte vendimin, Gjukiq u arratis në Serbi. Sot vazhdon të jetojë i lirë në Beograd, pavarësisht fletarrestimit ndërkombëtar. Arsyeja që jep Beogradi është e thjeshtë: Gjukiq ka edhe shtetësi serbe, dhe Serbia nuk i ekstradon shtetasit e saj.
E njëjta logjikë mbron edhe Tomisllav Kovaçin, Mirko Vruçiniqin dhe Dushko Kornjaçën, ish-pjesëtarë të Ushtrisë dhe Policisë së Republikës Sërpska. Të tre kanë shtetësi të dyfishtë, kërkohen nga drejtësia e Bosnjës dhe Hercegovinës për krime lufte dhe jetojnë të lirë në Serbi. Ata janë vetëm disa emra në një listë më të gjatë.
Banjska, tre vjet më pas
Për Kosovën, emri më i rëndë është Millan Radoiçiq. Tre vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Kosova ka lëshuar pesë fletarrestime ndaj tij, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë sanksionuar për lidhje me krimin ndërkombëtar. Kjo nuk e ka penguar të shfaqet publikisht: më 9 tetor, Radoiçiq mori pjesë në një tubim zgjedhor të partisë në pushtet të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Radoiçiq nuk është i vetmi. Persona të tjerë të akuzuar nga drejtësia e Kosovës, përfshirë për krime lufte, jetojnë të lirë në Serbi, e cila refuzon t'i ekstradojë. Shumica e tyre gjykohen në mungesë në Kosovë. Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka me të marrëveshje ekstradimi, ndërsa bashkëpunimi në këtë fushë kalon përmes Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Nga Rumania deri në Tajlandë
Strehimi nuk u kufizohet të arratisurve nga vendet fqinje. Gjatë dekadës së fundit, në Serbi kanë gjetur vend edhe të akuzuar dhe të dënuar nga vende të largëta.
Biznesmeni bullgar Cvetan Vasilev, i akuzuar në vendin e tij për 144 raste të përvetësimit të parave, u arratis në Serbi në vitin 2014. Shtatë vjet më vonë fitoi azil politik. Të njëjtin status mori edhe Sebastian Gica, biznesmen dhe ish-deputet rumun, ndaj të cilit kishin nisur disa hetime, ndër to edhe për dyshime për korrupsion. Gica erdhi në Serbi në vitin 2016 dhe autoritetet serbe e arsyetuan azilin me mundësinë që ai të përndiqej për bindjet e tij politike.
Në vitin 2019, Qeveria e Serbisë shkoi edhe më tej: i dha shtetësinë Jingluk Shinavatrës, ish-kryeministres së Tajlandës, e cila në vendin e saj ishte dënuar me pesë vjet burgim për korrupsion.
Rasti që tërhoqi vëmendjen e Uashingtonit është ai i shtetasit kinez Cui Guanghai, ekstradimin e të cilit e kërkojnë Shtetet e Bashkuara nën akuzat për spiunazh dhe kontrabandë të teknologjisë ushtarake. Ai ishte arrestuar në Beograd me fletarrestim ndërkombëtar me kërkesë të SHBA-së, por në vitin 2025 u zhduk nga arresti shtëpiak. Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Kash Patel, deklaroi para Kongresit amerikan se Serbia po i kthente shtetasit kinezë të akuzuar në Kinë, në vend që t'i ekstradonte në SHBA.
Një tjetër shembull vjen nga Ukraina. Andrij Naumov, ish-zyrtar i inteligjencës ukrainase, u arrestua në Serbi në vitin 2022. Beogradi refuzoi kërkesën e Kievit për ta ekstraduar në lidhje me një hetim për shpërdorim të pozitës zyrtare. Në vend të kësaj, Naumov u gjykua në Serbi dhe në vitin 2025 u dënua me një vit burgim për pastrim parash.
Lista shtrihet edhe përtej Serbisë. Në Bosnjë dhe Hercegovinë jeton Zdravko Mamiq, ish-nënkryetar ekzekutiv i klubit kroat të futbollit Dinamo Zagreb, i cilësuar si i arratisuri më i njohur nga drejtësia që ka gjetur strehë në atë vend.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

