Zjarrfikësit serbë po luftojnë prej ditësh me dhjetëra vatra në të gjithë vendin. Në rezervatin natyror Deliblatska Peščara janë djegur mbi 3.500 hektarë pyll dhe bimësi, ndërsa Beogradi ka aktivizuar Mekanizmin evropian të mbrojtjes civile.

Një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur ndërsa Serbia lufton prej ditësh me dhjetëra zjarre të përhapura në të gjithë vendin. Të premten, Beogradi zyrtarisht kërkoi ndihmën e Bashkimit Evropian për t'i vënë nën kontroll flakët.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiç, njoftoi në një konferencë për shtyp se përmes Mekanizmit të mbrojtjes civile të Bashkimit Evropian janë kërkuar disa avionë dhe helikopterë zjarrfikës, si dhe automjete shtesë.
Situata paraqitet veçanërisht e rëndë në rezervatin natyror Deliblatska Peščara, rreth shtatëdhjetë kilometra në verilindje të Beogradit, ku deri tani janë djegur mbi 3.500 hektarë pyll dhe bimësi. Në shuarjen e këtij zjarri, krahas helikopterëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pjesëtarëve të ushtrisë, që nga e enjtja është angazhuar edhe avioni rus Iljushin.
Përpjekjet për shuarje po pengohen nga era dhe terreni ranor e i vështirë për t'u kaluar, si dhe nga djegia nëntokësore e humusit. Për këtë arsye, zjarri shpesh riaktivizohet në vendet ku në pamje të parë dukej se ishte shuar.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

