Dy gra, njëra nga Shillova e Gjilanit, janë arrestuar në Serbi me akuzën për spiunazh. Sipas akuzës serbe, ato kanë përcjellë të dhëna për pjesëtarë aktivë të agjencisë serbe të sigurisë BIA te shërbimet e inteligjencës së Shqipërisë dhe Kosovës.

Dy gra janë arrestuar në Serbi më 29 shtator 2026 nën dyshimin për spiunazh, në një operacion të përbashkët të agjencisë serbe të sigurisë BIA, Prokurorisë së Lartë Publike në Jagodinë dhe drejtorive të policisë në Vranjë e Jagodinë.
Në Vranjë u arrestua D. C., 46-vjeçe, nga Shillova e komunës së Gjilanit, ndërsa në Jagodinë u prangos N. P., 50-vjeçe, banore e këtij qyteti. Të dyjave u ngarkohet vepra penale e spiunazhit sipas nenit 315, paragrafët 1 dhe 3, të Kodit Penal të Serbisë.
Sipas akuzës, të dyshuarat kanë përcjellë të dhëna për pjesëtarë aktivë të BIA-s dhe për angazhimin e tyre te shërbimi i inteligjencës së Shqipërisë (SHISH), te Agjencia e Inteligjencës së Kosovës, të cilën pala serbe e cilëson degë të SHISH-it, si dhe te njësia e inteligjencës e Policisë së Kosovës. Këto pretendime janë publikuar nga gazeta serbe "Novosti".
Me urdhër gjykate, autoritetet kontrolluan objektin në Jagodinë ku N. P. ka vendbanimin e regjistruar. Gjatë kontrollit u sekuestruan disa sende, mes tyre pajisje elektronike, për të cilat dyshohet se kanë lidhje me veprën penale.
Deri në një vendim të gjykatës, të dyja gratë trajtohen si të dyshuara. Nuk dihet ende nëse autoritetet në Prishtinë ose Tiranë kanë reaguar ndaj akuzave.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

