I akuzuari për aksidentin që i mori jetën 29-vjeçarit të njohur për videot humoristike në rrjete sociale i tha gjykatës se nuk është në gjendje të deklarohet për fajësinë. Mbrojtja kërkoi kohë për një ekspertizë të re, por gjykata e refuzoi shtyrjen.

I akuzuari për aksidentin e komunikacionit në të cilin humbi jetën L.K., 29-vjeçari që ishte bërë i njohur përmes reklamave dhe videove humoristike në mediat sociale, deklaroi sot para gjykatës se nuk është në gjendje të deklarohet lidhur me fajësinë.
Deklarimi i të akuzuarit, me inicialet S.L., erdhi pasi prokurori i rastit lexoi aktakuzën. Seanca fillestare nisi nga ora 10:00 dhe u drejtua nga gjyqtari i çështjes.
Që në hapjen e seancës, mbrojtja u përpoq ta shtynte atë. Avokati i të akuzuarit argumentoi se mbrojtja ka angazhuar një ekspert tjetër për të përgatitur një ekspertizë të re të komunikacionit dhe se klienti i tij do të deklarohet vetëm pasi kjo ekspertizë të përfundojë.
Prokuroria u shpreh kundër. Sipas prokurorit, në dosje ekziston tashmë një ekspertizë e komunikacionit, e cila, sipas vlerësimit të tij, i përcakton qartë veprimet e të akuzuarit.
Gjykata e hodhi poshtë kërkesën për shtyrje. Ajo theksoi se bëhet fjalë për seancë fillestare, në të cilën, sipas dispozitave ligjore, i akuzuari duhet të deklarohet për fajësinë ose pafajësinë.
L.K. ndërroi jetë mbrëmjen e 2 shtatorit në aksidentin e komunikacionit që tani është objekt i këtij procesi gjyqësor. Pala e dëmtuar në rast përfaqësohet nga një avokat. I akuzuari gëzon prezumimin e pafajësisë derisa gjykata të vendosë me aktgjykim të formës së prerë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

