Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

Mosmarrëveshja për detyrimet që kanë rrjedhur nga kontratat kolektive ka hyrë në fazën e parë dëgjimore, por sipas drejtorit ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, njëra nga palët kryesore, niveli qendror, nuk mori pjesë në seancë. Ibrahimi e cilësoi këtë mungesë si shenjë mungese serioziteti.
"Pas disa viteve pritje, sot filloi procesi i parë sa i përket trajtimit të dëmeve të shkaktuara prej kontratave kolektive ndaj komunave. Ne si Asociacion i Komunave gjithmonë kemi deklaruar se këto mjete financiare janë marrë në mënyrë të padrejtë, sepse kontratat kolektive janë nënshkruar nga niveli qendror. Ne jemi shumë të kënaqur që ky proces filloi dhe po besojmë se gjykatat tona do të marrin vendime meritore dhe po shpresojmë se ato vendime do të jenë pro komunave", tha ai.
Thelbi i kontestit është kush duhet të paguajë. AKK ka kundërshtuar vazhdimisht bartjen e këtyre detyrimeve financiare te komunat, me arsyetimin se kontratat kolektive i ka nënshkruar niveli qendror. Sipas Ibrahimit, gjatë viteve të fundit nga buxhetet komunale janë marrë padrejtësisht qindra miliona euro, para që, siç tha ai, do të mund të shkonin për investime kapitale, subvencione dhe shërbime për qytetarët.
"Ne jemi dëshmitarë të kohës që gjatë këtyre viteve të fundit komunave në mënyrë të padrejtë u kanë marrë me qindra milionë euro nga buxhetet e tyre, dhe ato mjete financiare nuk kanë mundur të zbatohen në shumë projekte për investime kapitale, në mallra, shërbime, në subvencione dhe kategori të tjera, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikonin në përmirësimin e jetës së qytetarit. Po shpresojmë që gjykatat tona do ta marrin një vendim meritor, të cilin ne shpresojmë që do të jetë pro komunave", deklaroi Ibrahimi.
Kritika e tij ndaj institucioneve qendrore nuk ishte e re. Ibrahimi tha se AKK ka paralajmëruar prej vitesh se çështja nuk po trajtohet seriozisht dhe se barra financiare në fund bie mbi qytetarët.
"Ne gjatë këtyre viteve kemi deklaruar se niveli qendror nuk është duke e marrë këtë çështje seriozisht. Dëmi po i shkaktohet komunave, kurse niveli qendror është shumë komod në këtë relacion. Duke iu marrë komunave me qindra milionë euro, efekti është te qytetari i Republikës së Kosovës dhe po e vlerësojmë që niveli qendror, edhe në këtë rast, nuk u tregua serioz ndaj komunave me mospjesëmarrje në seancën e parë dëgjimore sa i përket problemit të kontratave kolektive", tha ai.
Institucionet qendrore nuk kanë dhënë ndonjë reagim publik ndaj akuzave të AKK-së, ndërsa vendimi i gjykatave mbetet ende i panjohur.
Një dokument i vjetër i LDK-së, ku Jakup Krasniqi kundërshtonte mënyrën e zgjedhjes së udhëheqjes së partisë, tashmë është provë në Gjykatën Speciale. Trupi Gjykues pranoi edhe deklaratat e një ish-komandanti të FARK-ut mbi raportet me UÇK-në.

