Mësimdhënësit me kontrata të pacaktuara në Prishtinë po ftohen nga sindikata e tyre të mos vënë firmën në kontratat e reja. SBASHK-u kërkon ndalimin e procesit dhe paralajmëron se dispozita për shfuqizimin e kontratave të vjetra mund të prekë të drejtat e punëtorëve.

Mësimdhënësit e Prishtinës që kanë marrëdhënie pune me afat të pacaktuar po ftohen nga sindikata e tyre të mos i nënshkruajnë kontratat e reja që kërkon Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA). Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) e ka kundërshtuar hapur kërkesën e DKA-së për përgatitjen e këtyre kontratave dhe kërkon që i gjithë procesi të ndalet.
Në reagimin e publikuar të enjten, SBASHK-u kërkon pezullimin e procesit derisa të zhvillohen negociatat me Sindikatën dhe të harmonizohet një model unik i kontratës, i vlefshëm për të gjitha komunat e Kosovës.
Argumenti kryesor i Sindikatës është se kontratat që punëtorët kanë sot në dorë janë plotësisht të vlefshme. Sipas SBASHK-ut, ato janë hartuar në përputhje me Udhëzimin Administrativ të MASHT-it nr. 10/2015, pas një procesi negociues në të cilin ka marrë pjesë edhe vetë Sindikata. "Kontratat aktuale janë valide dhe janë hartuar në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2015. Derisa drafti i ri të shqyrtohet dhe të negociohet, nuk duhet të ketë nxitim për zëvendësimin e tyre", thuhet në reagim.
Pika më e ndjeshme e mosmarrëveshjes është kërkesa që kontrata e re të përmbajë një dispozitë për shfuqizimin e kontratës paraprake. Sipas Sindikatës, një klauzolë e tillë mund të ndikojë në pozitën juridike dhe në të drejtat e punëtorëve.
SBASHK-u e quan të papranueshme që punonjësve me kontrata valide t'u kërkohet firma pa u sqaruar më parë pse duhet ndryshimi dhe pa iu paraqitur drafti për shqyrtim. "Deri më tani, SBASHK-ut nuk i është prezantuar një model i plotë i kontratës së re për shqyrtim dhe negocim. Prandaj, nuk mund të kërkohet nga punëtorët të nënshkruajnë dokumente, përmbajtja dhe pasojat e të cilave nuk janë shqyrtuar me përfaqësuesit e tyre sindikalë", thuhet në reagim.
Sindikata e zhvendos çështjen edhe përtej Prishtinës. Ajo i kërkon Konsorciumit të Drejtorëve të Drejtorive Komunale të Arsimit të nisë negociatat për hartimin e një modeli unik të kontratës për të gjitha komunat, me garanci për mbrojtjen e të drejtave të fituara të punëtorëve.
SBASHK-u thotë se nuk e kundërshton përmirësimin e dokumentacionit administrativ si të tillë, por këmbëngul që çdo ndryshim të kalojë përmes dialogut social dhe negociatave, pa cenuar të drejtat ekzistuese.
Ndërkohë, Sindikata ka mobilizuar edhe strukturat e veta. Kryetarëve të shoqatave sindikale u është kërkuar t'i njoftojnë anëtarët për këtë qëndrim dhe të raportojnë çdo kërkesë apo presion që lidhet me nënshkrimin e kontratave të reja.
Thirrja nuk i prek të gjithë punonjësit e arsimit. Sipas SBASHK-ut, ajo vlen vetëm për ata që tashmë kanë kontrata valide me afat të pacaktuar, ndërsa kontratat për personat që hyjnë për herë të parë në marrëdhënie pune trajtohen veçmas, sipas procedurave dhe kërkesave ligjore.
SBASHK-u ka ritheksuar se është i gatshëm të marrë pjesë në hartimin e një modeli të qartë kontrate, në përputhje me legjislacionin në fuqi, por vetëm pasi DKA-ja në Prishtinë ta pezullojë procesin deri në përfundimin e konsultimeve dhe negociatave.
Nga 219,5 miliardë dollarë të akorduara fillimisht, gjykata e Nju Meksikos e uli shumën në 25 miliardë, por gjoba mbetet një nga goditjet më të rënda ligjore ndaj Meta-s për një skandal të nisur në vitin 2018.

