Për një operacion të familjarit, sipas prokurorisë, paguheshin nga 50 deri në 300 euro. Dy kirurgë të Spitalit të Përgjithshëm në Vushtrri dhe nëntë persona të tjerë janë nën aktakuzë për ryshfet.

Dy kirurgë që punonin në Spitalin e Përgjithshëm në Vushtrri dalin sot para drejtësisë, të akuzuar se kërkonin dhe merrnin para nga pacientët në këmbim të trajtimit mjekësor.
Seanca fillestare ndaj mjekëve me inicialet V.R. dhe E.S. po zhvillohet në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i ngarkon të dy me marrje ryshfeti, por me pesha të ndryshme: V.R. dyshohet se ka kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme parash në gjashtë raste, ndërsa E.S. në tri raste. Sipas prokurorisë, paratë jepeshin si kundërshpërblim për shërbimet e trajtimit mjekësor që u ofroheshin pacientëve.
Rasti nuk ndalet te mjekët. Në bankën e të akuzuarve janë edhe nëntë persona të tjerë, të cilët prokuroria i dyshon se kanë qenë në anën tjetër të marrëveshjes. Ata akuzohen se, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për vete apo për të tjerë, u kanë ofruar kirurgëve shuma nga 50 deri në 300 euro si shpërblim për operimin e familjarëve të tyre.
Spitali i Vushtrrisë ka marrë tashmë masa. Me një vendim të veçantë, institucioni i ka pezulluar nga detyra të dy mjekët, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Gjykata ende nuk ka marrë asnjë vendim mbi fajësinë e të pandehurve, të cilët prezumohen të pafajshëm deri në një aktgjykim të formës së prerë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

