Para në dorë për të kaluar kufirin pa kontroll, në kulmin e masave kundër COVID-19: kjo është akuza e Prokurorisë Speciale ndaj 23 zyrtarëve policorë të pikës kufitare Qafë Morinë, gjykimi i të cilëve ka nisur në Prishtinë.

Njëzet e tre zyrtarë policorë që kanë shërbyer në pikën kufitare Qafë Morinë, në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka nisur seanca gjyqësore për rastin e ryshfetit në këtë vendkalim.
Në aktakuzën e saj, Prokuroria Speciale pretendon se nga gushti i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, policët kanë marrë para nga qytetarë të Kosovës dhe të Shqipërisë për t'u lejuar hyrjen në territorin e Kosovës, pa verifikuar nëse ata i plotësonin kushtet e kërkuara për kalimin e kufirit.
Sipas prokurorisë, këto veprime kanë qenë në kundërshtim jo vetëm me rregullat për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, por edhe me masat që Qeveria kishte vendosur për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Të 23 të akuzuarit ngarkohen me veprën penale të marrjes së ryshfetit, të kryer individualisht ose në bashkëkryerje. Gjashtë prej tyre, me inicialet A.K., A.H., M.B., I.T., I.D. dhe F.S., përballen edhe me akuzën për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Ndër provat e përfshira në aktakuzë janë video-incizime dhe komunikime, të cilat, sipas prokurorisë, i mbështesin pretendimet për veprimtari të kundërligjshme.
Të gjithë të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

