KFOR-i ka dalë me një shpjegim të shkurtër për takimin që nuk u mbajt me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, ndërsa pikëpyetjet mbi hapjen e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë mbeten pa përgjigje.

Shpjegimi erdhi në një njoftim të shkurtër: "rrethana të paparashikuara". Me këto fjalë misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë sqaroi pse takimi mes komandantit të KFOR-it, gjeneralmajorit Ozgan Ulutash, dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, nuk u zhvillua dje, ashtu siç ishte paralajmëruar më herët gjatë ditës.
"Për shkak të rrethanave të paparashikuara, takimi i sotëm midis komandantit të KFOR-it, gjeneralmajorit Ulutash, dhe z. Kurti nuk u zhvillua. Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë partnerët, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë", thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Në qendër të vëmendjes mbetet ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Para se takimi të binte në ujë, Kurti kishte folur për të në një konferencë për media, duke e quajtur "absurde" mbylljen e saj.
"Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto ura të reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve, as të tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë e më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë", tha kryeministri në detyrë.
Çështja e urës ka hyrë tashmë edhe në komunikimin me Brukselin. Bashkimi Evropian së fundmi ka kërkuar "koordinim efektiv" dhe "konsultime kuptimplota" ndërmjet komunave veriore dhe institucioneve qendrore të Kosovës për hapjen e urës. Ditë më parë, Brukseli kishte konfirmuar se kushtet për hapjen e saj janë përmbushur.
Ai konfirmim erdhi pak ditë pasi KFOR-i njoftoi për një "tranzicion gradual" të pranisë së përhershme të trupave nga ura kryesore mbi Ibër, hap që u lexua si sinjal se regjimi i sigurisë rreth pikës më të ndjeshme të Mitrovicës po ndryshon.
Qëndrimi i BE-së është artikuluar edhe më parë. Në raportin e vitit 2025 për vendin, BE-ja thoshte se hapja e urës "duhet të koordinohet me partnerët e sigurisë". Një zëdhënës i BE-së e ka formuluar kështu pozicionin: "Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë: pasi të kompletohen punimet në urën Austerlitz në Mitrovicë, si dhe vlerësimet dhe konsultimet shtesë, ura duhet të hapet. Mund të konfirmojmë, siç është përmendur tashmë në raportin vjetor të vitit të kaluar, se ky është vërtet rasti."
Deklarata e zëdhënësit erdhi disa ditë para se nga Brukseli të kërkoheshin edhe "koordinimi" dhe "konsultime kuptimplota", ndërsa nuk dihet ende kur do të mbahet takimi i shtyrë mes Ulutashit dhe Kurtit.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

