Më shumë qytetarë po trokasin në dyert e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të pasur armë ligjërisht, por shumica e kërkesave nuk e marrin dritën jeshile. Vetëm këtë vit kanë mbërritur rreth 8 mijë aplikime, kryesisht për armë gjahu.

Kërkesat për leje armësh po shtohen në vend. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka shqyrtuar rreth 20 mijë aplikime gjatë 18 muajve të fundit, por më pak se gjysma e tyre kanë përfunduar me miratim.
Sipas të dhënave të ministrisë, rreth 9 mijë kërkesa kanë marrë përgjigje pozitive. "Gjatë 18 muajve të fundit, Ministria e Punëve të Brendshme ka vepruar intensivisht lidhur me kërkesat për lëshimin e lejeve për blerjen e armëve. Janë shqyrtuar rreth 20.000 kërkesa, nga të cilat mbi 9.000 janë miratuar, duke kontribuar kështu në një trajtim më efikas administrativ dhe në realizimin në kohë të të drejtave të qytetarëve", thuhet në deklaratën e MPB-së.
Ritmi nuk po bie. Vetëm gjatë vitit 2026 kanë mbërritur rreth 8 mijë kërkesa, dhe pjesa më e madhe e tyre kanë të bëjnë me armë gjuetie. "Gjatë vitit 2026, në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë paraqitur rreth 8.000 kërkesa për marrjen e lejes për posedimin e armëve. Interesi më i madh i qytetarëve është për leje për posedimin e armëve të gjuetisë. Krahasuar me vitet paraprake, është vërejtur një rritje e numrit të kërkesave të paraqitura", shtoi ministria.
MPB thotë se gjatë kësaj periudhe ka punuar intensivisht për trajtimin e aplikimeve, me synimin për të përshpejtuar procedurat administrative. Ministria nuk ka bërë të ditur arsyet pse pjesa më e madhe e kërkesave nuk janë miratuar.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

