Dy të dënuar në shkallë të parë për krimet në Reznik të Vushtrrisë kërkojnë lirimin, pas dënimeve me 15 dhe 7 vjet burg. Prokuroria kërkon refuzimin e ankesave, ndërsa i dëmtuari thotë se edhe 15 vjet janë pak.

Pesëmbëdhjetë vjet burgim për njërin, shtatë për tjetrin. Këtë aktgjykim kërkoi të rrëzohej të hënën mbrojtja e Zoran Kostiqit dhe Dragan Miloviqit, në seancën e kolegjit të Gjykatës së Apelit. Të dy janë dënuar në shkallë të parë për krime lufte në fshatin Reznik të Vushtrrisë, dhe avokatët e tyre kërkuan që ata të lirohen.
Dënimet i kishte shqiptuar Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 mars 2026. Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit, në parashtresën e saj, i ka propozuar kolegjit që ankesat e mbrojtësve të refuzohen si të pabazuara.
Rasti lidhet me ngjarjet e kohës së luftës në Kosovë. Sipas aktakuzës, të ngritur më 16 maj 2024, Kostiq, si pjesëtar i forcave policore serbe, ka marrë pjesë drejtpërdrejt dhe në bashkëkryerje në sulmin ndaj popullsisë civile shqiptare në Reznik, përfshirë plaçkitjen dhe djegien e shtëpive dhe vrasjen e civilëve të paarmatosur. Aktakuza pretendon se shtëpitë dhe trupat e pajetë të anëtarëve të një familjeje të fshatit u dogjën për të zhdukur provat. Më 22 maj 1999, sipas akuzës, ai në bashkëkryerje urdhëroi dëbimin e popullatës shqiptare, duke ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, ndërsa gjatë rrugës për te varrezat civilët u rrahën me gyp metalik, shkopinj druri dhe kondakë automatikësh.
Avokati Predrag Miljkoviq, mbrojtës i Kostiqit, e ka goditur aktgjykimin në të gjitha pikat kryesore: shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Ai i ka propozuar Apelit ta anulojë aktgjykimin dhe ta kthejë çështjen në rivendosje, ose ta ndryshojë atë dhe ta lirojë Kostiqin nga akuza.
Para kolegjit, Miljkoviq tha se vendimi i shkallës së parë nis nga një premisë e gabuar, ajo e përgjegjësisë kolektive. Sipas tij, nuk mjafton të vërtetohet se i akuzuari ka qenë pjesëtar i forcave të armatosura dhe se ka qenë i pranishëm në ngjarje. Ai shtoi se nga arsyetimi i Themelores mbetet e paqartë se cilave forca u ka përkitur Kostiq.
Avokati u ndal edhe te dëshmitarët. Nga 17 dëshmitarë të dëgjuar në shqyrtimin gjyqësor, tha ai, vetëm 4 e kanë lidhur klientin e tij me ngjarjet, ndërsa deklaratat e tyre kanë pasur shumë kundërthënie. Sipas Miljkoviqit, Themelorja nuk ka shpjeguar pse u besoi deklaratave të dhëna në gjyq e jo atyre të mëparshme. Ai pretendoi gjithashtu se në 85 faqet e aktgjykimit nuk ka asnjë fjalë për provat materiale të dorëzuara nga mbrojtja, ndërsa provat materiale të Prokurorisë Speciale, sipas tij, nuk mund të pranohen.
Për Miloviqin, avokatët Mahmut Halimi dhe Millosh Deleviq kanë paraqitur ankesë të përbashkët, mbi të gjitha bazat ankimore, duke kërkuar që ajo të aprovohet si e bazuar dhe i mbrojturi i tyre të lirohet. Halimi deklaroi se qëndron plotësisht pas ankesës dhe të gjitha propozimeve të saj. Sipas tij, arsyetimit të aktgjykimit i mungon shpjegimi pse një version i një deklarate pranohet e një tjetër refuzohet, sidomos kur kundërthëniet kanë të bëjnë me identitetin e kryerësit dhe qëllimin e tij. I akuzuari, theksoi Halimi, duhet të mbahet përgjegjës vetëm për veprimet e veta, jo për ato të të tjerëve.
Kundër këtyre kërkesave u ngrit zëri i të dëmtuarit Vesel Latifi. Ai tha në seancë se i bashkëngjitet propozimit të Prokurorisë dhe se një dënim me 15 vjet burgim nuk mjafton për krime lufte. Vendimi i Apelit për ankesat ende nuk është bërë i ditur.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

