Prokuroria kërkon gjashtë vjet burgim shtesë për Hashim Thaçin, që do ta çonte dënimin e tij total deri në 31 vjet. Kur do të vendosë gjyqtari Christopher Gosnell mbetet ende e hapur.

Hashim Thaçi pret ende të mësojë vendimin në rastin e tij të dytë para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjykata ka bërë të ditur se data e shpalljes së aktgjykimit në rastin për administrim të drejtësisë, ku Thaçi gjykohet bashkë me të bashkakuzuarit e tij, nuk është caktuar ende.
Vendimi është në dorë të një gjyqtari të vetëm, Christopher Gosnell. Sipas Dhomave të Specializuara, pasi çështja përmbyllet, ai ka 90 ditë kohë për të nxjerrë aktgjykimin. Ky afat nuk është i ngurtë. "Nëse ka nevojë për më shumë kohë, ai mund ta zgjasë këtë afat edhe për 60 ditë të tjera. Zgjatje të mëtejshme janë të mundshme në rrethana të jashtëzakonshme", sqaroi gjykata në një përgjigje me shkrim për IndeksOnline. Deri më tani, Gosnell nuk ka caktuar asnjë datë.
Edhe për masën e dënimit, fjalën e fundit e ka gjyqtari. "Prokuroria dhe mbrojtja mund të paraqesin qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje, por vendimi përfundimtar për dënimin i takon gjyqtarit të vetëm", theksuan Dhomat e Specializuara. Sipas tyre, në përcaktimin e dënimit gjyqtarët zakonisht mbajnë parasysh diapazonin e dënimit të paraparë me ligj, rrethanat personale të personit të dënuar, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese.
Rasti për administrimin e drejtësisë zhvillohet veçmas nga çështja kryesore ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, në të cilën Thaçi u dënua me 25 vjet burgim.
Në procesin e ri, Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin. Sipas kërkesës së saj, nëse koha e kaluar në paraburgim nuk zbritet, ky dënim, i shtuar mbi 25 vjetët e shqiptuar në çështjen tjetër, do ta çonte dënimin total në 31 vjet. Nëse gjyqtari do ta pranojë këtë kërkesë, do të dihet vetëm kur të shpallet aktgjykimi.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

