Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Bedri Halimi, i akuzuar se nuk i ndaloi ndërtimet pa leje në Parkun Kombëtar “Sharri”, është shpallur i pafajshëm në rastin “Brezovica”.

Tre vjet pas ngritjes së aktakuzës për shtëpitë e pushimit dhe objektet hoteliere që u ngritën në zemrën e Parkut Kombëtar “Sharri”, kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Bedri Halimi, është shpallur i pafajshëm në rastin e njohur si “Brezovica”. Vendimi i gjykatës i është komunikuar sot, ndërsa lajmin e bëri të ditur avokati i tij, Haxhi Millaku.
Halimi ishte pjesë e aktakuzës së ngritur më 9 dhjetor 2022 nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kundër 12 personave, në rastin e regjistruar si “Brezovica 1”. Ai ngarkohej me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pikërisht për veprimet që, sipas prokurorisë, duhej t’i ndërmerrte në cilësinë e kryeinspektorit.
Sipas aktakuzës, nga fillimi i vitit 2013 deri më 20 dhjetor 2021, ai nuk kishte ndërmarrë masa ligjore dhe ekzekutive për ndalimin e ndërtimit të shtëpive të pushimit dhe të objekteve hoteliere në zonën e Brezovicës, brenda Parkut Kombëtar “Sharri”. Organi i akuzës pretendonte se Halimi ishte në dijeni që objektet po ngriheshin pa pëlqime mjedisore dhe pranë lumit, ndërsa disa prej tyre edhe në zonën e dytë të parkut, dhe se mosveprimi i tij kishte për qëllim përfitimin e dobisë pasurore për persona të tjerë. Këto mbetën pretendime të prokurorisë, të cilat gjykata nuk i vërtetoi ndaj tij.
Procedura ndaj kryeinspektorit ishte veçuar nga ajo ndaj të akuzuarve të tjerë. Vendimi për veçim ishte marrë në seancën e 8 janarit 2025, nga kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, pas aprovimit të kërkesës së tij. Procesi kryesor për rastin “Brezovica” po zhvillohej në Gjykatën Themelore në Pejë.
Aktakuza fillestare kishte përfshirë emra të rëndë të administratës lokale dhe qendrore: ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku, si dhe zyrtarë të tjerë. Akuzat ndaj tyre lidheshin me ndërtimet në Brezovicë dhe me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare e vepra të tjera penale. Të gjithë ata prezumohen të pafajshëm derisa fajësia të provohet me vendim të formës së prerë.
Arsyetimi i plotë i gjykatës nuk është publikuar, ndërsa nuk është sqaruar as as nëse aktgjykimi ndaj Halimit ka marrë formë të prerë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

