Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka shtyrë për të premten mbledhjen e 303-të, ku kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, do të vazhdojë raportimin vjetor për 2025, temë që herën e fundit përfundoi në debate të tensionuara.

Raportimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kthehet të premten para Këshillit Prokurorial të Kosovës, pasi seanca e mëparshme kushtuar këtij raporti ishte përcjellë me debate dhe tensione mes tij dhe anëtarëve të Këshillit.
Mbledhja e 303-të e KPK-së, e paraparë fillimisht një ditë më parë, është shtyrë dhe do të mbahet më 18 shtator 2026, duke nisur në orën 10:00, në sallën e takimeve në katin e gjashtë të objektit të KPK-së. Në agjendën me 19 pika, pika kryesore është vazhdimi i mekanizmit të raportimit vjetor për vitin 2025 të Isufajt, me plotësime.
Para Këshillit pritet të raportojnë edhe kryeprokurorët e Prokurorive Themelore në Pejë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj.
Agjenda përmban po ashtu një lëvizje në strukturat e brendshme të Këshillit: dorëheqjen e kryesuesit të Komisionit për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive dhe caktimin e kryesuesit të ri të këtij komisioni.
Në tavolinën e anëtarëve do të dalë edhe një pako rregulloresh: Rregullorja për Komisionin për Çështje Normative, ndryshimi i rregullores për organizimin dhe funksionimin e Prokurorit të Shtetit, si dhe plotësimi i rregullores për klasifikimin e vendeve të punës në administratën e sistemit prokurorial.
Pjesë e rendit të ditës janë edhe raportet për avancimin e dy prokurorëve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, transferimin e përhershëm të dy prokurorëve në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe transferimin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prizren. Këshilli do t'i trajtojë gjithashtu raportet për vlerësimin e performancës së 22 prokurorëve, përfshirë kundërshtimet e paraqitura ndaj disa prej tyre.
Në fund të agjendës është paraparë shqyrtimi i ankesës disiplinore me numër AD.nr.01/2026, si dhe pika "Të ndryshme".
Takimi do të jetë i hapur për media dhe palët e interesuara dhe pritet të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e sistemit prokurorial në Facebook.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

