Aeroplanë ushtarakë amerikanë ishin në ajër dhe forcat e armatosura po përgatiteshin të hipnin në një anije kineze në Lindjen e Mesme. Pak para operacionit, zbuluan se raporti i inteligjencës ishte prodhuar me ndihmën e një chatboti dhe ishte i gabuar.

Pak minuta e ndanin një operacion ushtarak amerikan kundër një anijeje kineze në Lindjen e Mesme nga fillimi. Ushtarë të armatosur po përgatiteshin të hipnin në bord, aeroplanët ushtarakë ishin ngritur në ajër. Në atë çast, zyrtarë vendosën të kontrollonin edhe një herë raportin e inteligjencës që kishte nisur gjithçka, dhe gjetën se ai ishte hartuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, ndërsa chatboti i përdorur nga analisti kishte identifikuar gabimisht ngarkesën e anijes.
Raporti kishte qarkulluar nëpër ushtrinë amerikane këtë pranverë, në mes të luftës me Iranin, dhe pretendonte se një anije kineze në Lindjen e Mesme po transportonte komponentë të një programi për armë bërthamore. Katër burime të njohura me episodin thonë se ushtria amerikane kaloi menjëherë në planifikimin e ndalimit të anijes. Dy prej tyre pohojnë se pjesëtarë të armatosur të ushtrisë po përgatiteshin të hipnin në anije, ndërsa një prej tyre dhe një burim tjetër i njohur me ngjarjen thonë se aeroplanët ushtarakë ishin tashmë në fluturim.
Njëri nga burimet e cilësoi raportin si "entirely false" ("krejtësisht i rremë"), duke shtuar se ai "almost started a war" ("gati nisi një luftë"). Çdo veprim amerikan kundër një anijeje kineze do të rrezikonte të shkallëzohej në një konflikt të armatosur mes dy vendeve.
Zinxhiri i gabimit nis me një analist të një komande të operacioneve speciale, i cili pyeti një chatbot lidhur me raportimin e inteligjencës për manifestin e ngarkesës së anijes, raportim që kishte origjinën te Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Paqësorin, me bazë në Havai. Boti ndërthuri informacione nga burime të hapura me inteligjencë sinjalesh të klasifikuar në arkivat qeveritare dhe arriti në përfundimin e vet për materialin që bartte anija. Analisti më pas përdori sërish inteligjencën artificiale për ta paketuar gjetjen në formatin e një raporti standard të inteligjencës, lloji i dokumentit që zyrtarët ushtarakë e besojnë pa rezerva, dhe e shpërndau atë. Nuk është bërë e ditur se cila ishte në të vërtetë ngarkesa e keqidentifikuar, as nëse chatboti ishte një produkt komercial apo një mjet i vetë qeverisë amerikane.
Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Paqësorin dhe Pentagoni nuk iu përgjigjën kërkesës për koment.
Episodi bie në një moment kur strukturat ushtarake dhe ato të inteligjencës në SHBA po nxitojnë ta fusin inteligjencën artificiale pothuajse në çdo hallkë të punës së tyre, nga analiza e sasive të mëdha të të dhënave të papërpunuara dhe përzgjedhja e objektivave për sulme, deri te buxhetimi dhe logjistika. Në janar, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, publikoi strategjinë e departamentit të tij të quajtur "Artificial Intelligence Acceleration Strategy" ("Strategjia për Përshpejtimin e Inteligjencës Artificiale"). "Ne do të çlirojmë eksperimentimin, do të eliminojmë barrierat burokratike, do të përqendrojmë investimet tona dhe do të demonstrojmë qasjen ekzekutuese të nevojshme për të siguruar që të udhëheqim në inteligjencën artificiale ushtarake", thuhet në dokument. Memorandumi që shoqëroi strategjinë flet për "demokratizimin e eksperimentimit dhe transformimit me inteligjencë artificiale në gjithë Departamentin, duke vendosur modelet më të mira botërore të Amerikës drejtpërdrejt në duart e tre milionë punonjësve tanë civilë dhe ushtarakë, në të gjitha nivelet e klasifikimit".
Sipas disa zyrtarëve amerikanë të njohur me këtë dinamikë, procesi është i decentralizuar: pjesë të ndryshme të qeverisë përdorin mjete të ndryshme, sipas urdhrave dhe standardeve të ndryshme të sigurisë, pa një grup të vetëm standardesh për verifikimin e informacionit që prodhojnë këto mjete. Një ish-zyrtar i lartë amerikan, i njohur me sistemet e inteligjencës artificiale që përdorin analistët ushtarakë dhe ata të inteligjencës, i përshkroi mjetet e brendshme me fjalët: "The internal tools are mostly just copies of the commercial stuff wearing lipstick" ("Mjetet e brendshme janë kryesisht thjesht kopje të gjërave komerciale me buzëkuq").
Shqetësimi më i madh lidhet me përdorimin e teknologjisë në përzgjedhjen e objektivave, një fushë ku, sipas burimeve, ushtria po mbështetet gjithnjë e më shpejt te inteligjenca artificiale. "AI in targeting is definitely something that is ramping up and there is no real guidance for how having a human in the loop will prevent civilian casualties or fratricide" ("Inteligjenca artificiale në përzgjedhjen e objektivave është pa dyshim diçka që po rritet dhe nuk ka udhëzime reale se si prania e një njeriu në vendimmarrje do të parandalojë viktima civile apo zjarr mbi forcat e veta"), thotë një burim i njohur me politikat aktuale të ushtrisë.
Dhe ky nuk ka qenë një rast i izoluar. Sipas njërit prej burimeve, ky lloj "hallucination" ("halucinacioni"), siç quhen përfundimet e shpikura nga modelet e inteligjencës artificiale, është shfaqur disa herë në komunitetin e inteligjencës që kur këto mjete nisën të përhapen nëpër qeveri.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

