Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ministritë dhe Zyra e Kryeministrit iniciuan vetëm 15% të aktiviteteve të prokurimit të parapara — një hendek që INPO e lidh me miratimin me vonesë të buxhetit.

Vetëm 170 nga 905 aktivitete prokurimi që ishin planifikuar të nisnin deri më 30 qershor 2026 u iniciuan realisht nga ministritë dhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Kaq nxjerr raporti i Institutit të Kosovës për Politika (INPO), i titulluar "Prokurimi që mbetet në plan", i cili mat sa nga premtimet e prokurimit publik janë përkthyer në veprim gjatë gjysmës së parë të vitit.
Sipas hulumtuesit të INPO-së, Arbër Kabashi, analiza mbulon të gjitha ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit për periudhën 1 janar–30 qershor 2026 dhe bazohet në planifikimet e prokurimit të publikuara në platformën e e-Prokurimit. Kabashi shpjegoi se monitorimi u përqendrua vetëm te aktivitetet e iniciuara përmes formularit B55, njoftimit për kontratë, pasi pjesa dërrmuese e aktiviteteve në një planifikim nisen përmes këtij formulari.
Në total, institucionet planifikuan 1.128 aktivitete prokurimi me vlerë rreth 600 milionë euro. Nga këto, 905 — ose 80% — ishin parashikuar të niseshin deri më 30 qershor, me vlerë 388 milionë euro. Deri në atë datë u iniciuan vetëm 170 aktivitete, pra 15% e tyre, në vlerë 31 milionë euro.
Kabashi e lidhi hendekun kryesisht me miratimin me vonesë të buxhetit. Ndryshe nga vitet e kaluara kur buxheti miratohej para fillimit të vitit, tha ai, në vitin 2026 buxheti u publikua në Gazetën Zyrtare vetëm më 2 mars. Sipas tij, disa autoritete kontraktuese kanë deklaruar gjatë fazës së komentimit se para kësaj date nuk kishin mundur të nisnin hartimin e planifikimeve dhe dorëzimin e tyre në Agjencinë Qendrore të Prokurimit.
Gjetjet u komentuan edhe nga Osman Vishaj i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), i cili theksoi se planifikimi është bazamenti i gjithë procesit të prokurimit.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

