Më shumë trafikantë përfundojnë në burg, por më pak ndiqen penalisht dhe shumica e dënimeve bien nën minimumin ligjor. Departamenti Amerikan i Shtetit e lë Kosovën në Nivelin 2, me vërejtje të rënda për fëmijët e detyruar të lypin.

Kosova dënon më shumë trafikantë se më parë, por ndjek penalisht më pak prej tyre dhe, në shumicën e rasteve, i ndëshkon më butë se ç'e parashikon ligji. Ky është paradoksi që del nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për trafikimin me njerëz, i cili e lë Kosovën edhe një herë në Nivelin 2.
Vlerësimi i përgjithshëm i DASH-it është i qartë: "Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë këtë."
Pikërisht këto përpjekje e mbajtën Kosovën në të njëjtin nivel. Sipas raportit, qeveria dënoi më shumë trafikantë dhe më shumë prej tyre përfunduan me burgim. Fondet për ndihmën ndaj viktimave u rritën, po ashtu edhe përpjekjet për parandalim. Qeveria bëri edhe një vlerësim të zbatimit të planit kombëtar të veprimit 2024-2025 dhe konstatoi se pothuajse gjysma e objektivave ishin përmbushur. "Qeveria demonstroi përpjekje në rritje në krahasim me periudhën e mëparshme të raportimit; prandaj, Kosova mbeti në Nivelin 2", thuhet në raport.
Pas lavdërimeve vjen lista e mangësive. "Megjithatë, qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kyçe", vëren DASH-i. E para prej tyre ka të bëjë me drejtësinë: numri i trafikantëve të dyshuar që u ndoqën penalisht ra, ndërsa gjykatat, edhe pse dhanë më shumë dënime me burgim, në shumicën e rasteve shqiptuan dënime nën minimumin e përcaktuar nga ligji për trafikimin.
Vërejtja më e rëndë lidhet me fëmijët. "DASH-i vëren se autoritetet e Kosovës nuk i kanë hetuar të gjitha rastet e fëmijëve të detyruar të lypin si raste të mundshme të trafikimit me njerëz", shkruhet në raport. Sipas DASH-it, procedurat për identifikimin e atyre që detyrohen të lypin janë të pamjaftueshme, dhe si pasojë qeveria nuk arriti të parandalojë në mënyrë efektive ndëshkimin e padrejtë të viktimave të mundshme për vepra të paligjshme që i kryen si rezultat i drejtpërdrejtë i trafikimit.
Boshllëku i fundit që evidentohet është mbështetja pas shpëtimit. "Qeveria nuk ofroi përpjekje për riintegrim dhe ndihmë tjetër afatgjatë, veçanërisht për fëmijët dhe viktimat që kërkojnë mbështetje psikosociale", konkludon raporti, duke lënë pa përgjigje pyetjen se çfarë ndodh me viktimat pasi dalin nga rrjeti i trafikantëve.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

