Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, thotë se emri i tij u hoq nga lista e folësve të forumit "Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage" dhe e quan këtë "vendim politik", jo gabim protokollar.

Qyteti nikoqir i "Lojërave Mesdhetare 2030" mbeti pa fjalën e kryetarit të vet në një forum të organizuar pikërisht për rrugën drejt atij viti. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se ka ndërhyrë në organizimin e forumit "Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage" dhe ka kërkuar që ai të mos përfshihet në listën e folësve.
Akuzën Rama e ka bërë publike përmes një postimi në Facebook. Forumi, sipas tij, është organizuar nga European Investors Council (EIC) në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, ngjarje për të cilën Prishtina është qyteti nikoqir.
"Përjashtimi si model i Qeverisë së Albin Kurtit! Prishtina është qyteti nikoqir i "Lojërave Mesdhetare 2030". Megjithatë, në forumin "Road to 2030: Kosovo on the Mediterranean Stage", të organizuar pikërisht për rrugën drejt vitit 2030, nga European Investors Council (EIC), unë si kryetar i Prishtinës përjashtohem nga fjala, sipas organizatorëve, me kërkesë direkte të Ministrisë së Sportit", ka shkruar ai.
Rama këmbëngul se nuk bëhet fjalë për një lëshim teknik. "Kjo nuk është gafë protokollare. Është vendim politik dhe është presion ndaj organizatorëve!", ka deklaruar kryetari i kryeqytetit.
Ai e ka lidhur rastin me mënyrën e qeverisjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. "Ironikisht, ky forum është i organizuar për koordinim, partneritet dhe investime. Ky është mentaliteti qeverisës i Albin Kurtit, ku edhe një projekt i përmasave ndërkombëtare tentohet të filtrohet përmes interesit partiak dhe kontrollit politik", ka shkruar Rama.
Sipas tij, largimi i kryetarit të kryeqytetit nga një ngjarje që lidhet drejtpërdrejt me projektin "Prishtina 2030" është i papranueshëm institucionalisht. "Të organizosh forum për Prishtina 2030 dhe të kërkosh përjashtimin e kryetarit të Prishtinës nga fjala është institucionalisht absurd dhe politikisht simptomatik. Lojërat Mesdhetare nuk janë instrument partiak i Vetëvendosjes. Prishtina 2030 nuk është pronë politike e askujt. Është përgjegjësi institucionale ndaj qytetarëve të Prishtinës, sportistëve dhe Republikës së Kosovës", ka thënë ai.
Postimi mbyllet me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit në detyrë: "Albin Kurti mund ta kontrollojë listën e folësve, por Prishtina 2030, fatmirësisht, është shumë më e madhe se lista e tij, komplekset e tij dhe deficitet e tij personale".
Akuzat mbeten deri më tani të pakundërshtuara publikisht: nuk ka reagim as nga Qeveria e Kosovës, as nga Ministria e Sportit, as nga European Investors Council për arsyet e formatimit të listës së folësve.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

