Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, thotë se kryetarët e komunave do të protestojnë në shtator para Qeverisë, duke akuzuar ekzekutivin për bllokim të mjeteve dhe presion financiar ndaj komunave që nuk qeverisen nga Vetëvendosje.

Kryetarët e komunave të Kosovës kanë paralajmëruar një protestë në shtator para Qeverisë, duke ngritur akuza për trajtim të pabarabartë të pushtetit lokal sipas përkatësisë politike. Njoftimin e ka bërë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas një takimi të mbajtur me disa nga homologët e tij.
Sipas Ramës, kryetarët janë bashkuar kundër asaj që ai e ka cilësuar si "shkelje të vazhdueshme të ligjit dhe qasje totalitare të Qeverisë Kurti ndaj pushtetit lokal". Ai e ka lidhur situatën aktuale me deklaratat e fushatës zgjedhore lokale.
"Paralajmërimi gjatë fushatës zgjedhore lokale se 'nuk do t'u japim buxhet komunave që nuk qeverisen nga Vetëvendosje', sot po materializohet në një praktikë të rrezikshme: bllokim të mjeteve, pengim të projekteve dhe ndëshkim financiar të komunave që nuk kontrollohen nga pushteti", ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka pretenduar se që nga viti 2022 komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro. "Mbi 344 milionë euro u janë marrë komunave që nga viti 2022 për obligime që nuk i kanë krijuar vetë", ka shkruar ai.
Rama e ka përshkruar bllokimin e mjeteve si një përpjekje për nënshtrimin e pushtetit lokal. "Po bllokohen mjete dhe po pengohen investime që u takojnë qytetarëve. Po tentohet që pushteti lokal të nënshtrohet përmes presionit financiar dhe politik", tha ai, duke shtuar se "Komunat nuk janë të kryetarëve! Komunat janë të qytetarëve!".
Duke akuzuar Qeverinë për trajtim të diferencuar të komunave sipas ngjyrës politike, Rama tha: "Kur Qeveria bllokon një komunë vetëm sepse nuk e qeveris Vetëvendosje, nuk po lufton një kryetar. Po ia mohon qytetarit një rrugë, një çerdhe, një shkollë apo një shërbim vetëm për shkak të mënyrës se si ai ka votuar".
Ai e ka mbyllur deklaratën duke e cilësuar këtë qasje si diskriminuese dhe të rrezikshme për demokracinë: "Nuk mundesh me i nda qytetarët në 'me neve' dhe 'me ata' dhe me vendos me blloku paranë publike sipas hartës elektorale!".
Akuzat e ngritura nga kryetari i Prishtinës janë deklarata të njërës palë; nuk ka ende një reagim të Qeverisë Kurti ndaj tyre. Data e saktë e protestës së paralajmëruar në shtator nuk është bërë e ditur.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

